Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi ka reaguar pasi Gjykata e Lartë nuk dha asnjë vendim për çështjen dhe vulën e PD, por dërgoi çështjen në Apeli.
Me anë të një postimi në Facebook, Malltezi shprehet se në Shqipëri janë mbi 70 parti politike që janë në opozitë, përveç Partisë Socialiste.
“Në Shqipëri ka mbi 70 parti poetike, të gjitha (përveç PS) në letra janë në opozitë. Në realitet të gjithë dimë kush bën opozitë e kush është blerë qoftë nga Rama apo Soros, kush përballet e kush fshihet, kush është peng e kush i lirë e i pashantazhueshëm”, shkruan Malltezi.
Kujtojme qe Gjykata e Lartë ktheu sot në Apel vendimin e datës 3 mars, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë të parë çështjen e logos dhe vulës së Partisë Demokratike. Ky vendim u mor sot, ndërkohë që opozita e Sali Berishes ishte ne proteste.
Kolegji i Gjykatës së Lartë në një njoftim për mediat thotë se ka konstatuar se Gjykata e Apelit “nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim”.