Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku në një konferencë për mediat, ka bërë një analize vjetore të Ministrisë së Instrastrukturës.
Gjatë fjalës së saj Balluku u ndal tek aksi Tiranë-Durrës, për të cilën tha se do të jetë me tre korsi dhe se do të ketë edhe korsinë e emergjencës.
“Do të ketë një korsi të plotë secila anë po ashtu edhe korsinë e emergjencës, nuk do të ketë shpronësime masive, por është parashikuar që do të ketë një zgjerim, do të kthehet me tre korsi të plota. Tiranë-Durrës është shumë më e rëndësishme. Në 5-vjeçarin e ardhshëm i gjithë ky rrjet do të jetë i integruar me njëri-tjetrin pasi këtij vit do të nisë edhe ndërtimi i Kashar-Lekaj. Jemi në fazën përfundimtare më koordinatorët. Baypass-i i Tiranës do të jetë rregulluesi dhe lidhës për shumë rrugë. Të gjitha projeksionet për Ministrinë e Turizmit dhe ajo e Infrastrukturës kanë ndryshuar shumë dhe ndryshojnë me vit dhe jo thjesht me 5-vjeçar apo dekada. Një komponent i rëndësishëm i transportit do t’i bashkohet edhe rrjeti hekurudhor. Sapo kemi marrë lajmin e mirë për vazhdimin e aksit me Durrës-Rrogozhinë. Të gjitha këto krijojnë një paketë të rëndësishme për transportin hekurudhor, ka ardhur momenti që të ketë alternime duke na dhënë mundësinë e një transporti modern. Një projekt i rëndësishëm është edhe ai që do të lidhë Durrësin me Prishtinën, një projekt hekurudhor shumë i rëndësishëm që mbështetet nga qeveritë dhe do të lidhë shqiptarët. Me përfundimin e studimit të fizibilitetit do të jemi të gatshëm për të hapur garën për të nisur më pas edhe këtë ëndërr të madhe të shumëpritur.
Ajo shtoi se Porti i ri i Durrësit do jetë një nyje e re në Mesdhe.
“Porti i Durrësit është një nga projektet më të rëndësishme dhe do ta vendosë Shqipërinë në një nivele tjetër. Do të jetë edhe një nyje ushtarake pasi i kemi propozuar NATO-s dhe kemi marrë njëlloj mbështetje për të pasur një bazë detare në zonën e Porto Romanos”, tha më tej Balluku.