E ardhmja e Armando Brojës mund të jetë tek Wolverhaptoni, po në Premier League. Drejtuesit e “Ujqërve” kanë identifikuar sulmuesin shqiptar si profilin e duhur për të përforcuar sulmin në këtë merkato janari, duke i bërë konkurrencë Fulhamit, megjithatë gjithçka do të varet nga përforcimet që do të bëjë Chelsea në këtë afat kalimtar.
Drejtuesit e lartë të bluve të Londrës janë të pakënaqur nga rendimenti i repartit të avancuar, ndaj janë hedhur në merkato për të gjetur një “bomber” të konfirmuar (mund të jetë edhe Benzema, marrëdhënia e të cilit me Al-Ittihad është thyer plotësisht).
Broja ka bërë 17 paraqitje për Chelsea-n në të gjitha garat deri më tani këtë sezon, duke shënuar dy herë. Sulmuesi kuqezi ka pak muaj që është kthyer nga një dëmtim i rëndë (këputi në fund të vitit 2022 ligamentin kruciat), që e mbajti jashtë fushës për nëntë muaj.
22-vjeçari është përdorur kryesisht si zëvendësues nga Pochettino, që zgjedhje të parë ka sulmuesin Nicolas Jackson (është i dëmtuar).
Broja mund të bjerë më poshtë në hierarki nëse Chelsea shton një sulmues në ditët e mbetura të merkatos së janarit.
Sulmuesi ka impresionuar më parë si i huazuar te Southamptoni gjatë sezonit 2021-22, duke shënuar nëntë gola në 38 ndeshje për “Saints”.
Pochettino pret që së shpejtë të ketë në formë optimale edhe Christopher Nkunku, i cili do të rikthehet pas një lëndimi.