Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës segmentin rrugor Boboshticë-Dardhë.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole bëri të ditur sot se ekipet dhe mjetet borëpastruese punuan gjatë natës dhe orët e para të mëngjesit për shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e saj.

Jole theksoi se “në të gjitha segmentet e tjera rrugore kontraktorët janë në gatishmëri”.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike për shkak të kalimit të një fronti të ftohtë shoqëruar me masa ajrore të lagështa dhe të ftohta.

Në relievet malore në lartësitë mbi 700 metër do të ketë reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në relievet e larta malore reshjet e dëborës do të jenë të dendura në formën e stuhive.