Mendimit të ekspertëve ndërkombëtarë të turizmit të cilët e kanë cilësuar Shqipërinë një destinacion trend për këtë vit i bashkohen edhe ata gjermanë.

Opinioni i tyre pasqyrohet edhe ne median e njohur italiane ‘La Voce del Popolo’.

Eksperët gjermanë kanë një rekomandim për të gjithë ata persona të cilët janë ende të pavendosur se ku do t’i kalojnë pushimet e kësaj vere pasi janë të shqetësuar edhe për buxhetin e tyre. Ata u sugjerojnë qytetarëve të tyre të zgjedhin Vlorën në Shqipëri, në vend të gadishullit të madh të Istrias në detin Adriatik, duke e cilësuar këtë të fundit si shumë të shtrenjtë për të kaluar pushimet.

Rreth 10 vjet më parë, sipas ekspertëve Kroacia ishte një destinacion turistik shumë i lirë për shumë turistë përfshirë edhe ata gjermanë, por kjo ka ndryshuar me kalimin e viteve.

“Në përputhje me kërkesën, por edhe për shkak të kalimit nga Kuna në Euro, çmimet janë rritur ndjeshëm vitin e fundit”, shkruan Fenix ​​Magazine, referuar një investigimi të kryer nga televizioni gjerman RTL.

Gjatë verës së vitit të kaluar turistët duhej të paguanin 50% më shumë për të njëjtin akomodim në krahasim me vitin e kaluar dhe shanset që situata të përmirësohet janë të pakta.

Kjo është arsyeja kryesore pse ekspertët e turizmit u ofrojnë pushuesve gjermanë qytetin e Vlorës si alternative, e kjo jo vetëm për çmimet, por edhe për peizazhet natyrore që të lanë pa frymë.