Ylli Pinari ish drejtor i MEICO dëshmon në procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e Gërdecit.

Kujtojmë se Pinari ka qenë i dënuar në procesin Gërdeci me 29 të pandehur. Ai u shpall fajtor në dosjen e parë “Gerdeci”, ndërsa sot rrëfeu si ishte vënë në kontakt me Patrik Henri, përfaqësuesin e SAC, kompani që ishte e përfshirë në demontimin në Gërdec. Pinari dëshmoi se Patrik Henri kishte krijuar në Shqipëri kompaninë AlbaDemil ku bashkëaksioner ishte Mihal Delijorgji.

“MEICO nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit të Gërdecit si vend demontimit. Fillimisht kemi pasur komunikime me email. Pas shkëmbimit të informacionit Patriku propozoi krijimin e një linjë demontimi.”- tha ai.

Procesi ndaj Fatmir Mediut nisi pas një kallzimi të familjes Durda e cila humbi në atë kohë djalin nga shpërthimi. Ish ministri i Mbrotjes akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Në procesin ndaj zotit Mediu, mes dëshmitarëve u thirr edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha si edhe ish ministri Aldo Bumçi.