Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, thotë se Kosova asnjëherë nuk ka pasur një vit më të humbur sesa viti 2023.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ky vit ka sjellur dështime në çdo segment të jetës e të politikës.

“Regres në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës; sanksione e ndëshkime nga aleatët strategjikë; asnjë njohje, asnjë investim i huaj; disfatizëm në raport me Serbinë e rrezikim i pavarësisë së Kosovës; rritje enorme e çmimeve në artikujt elementarë, në energji, në tatime, në artikuj bazë ushqimor”.

Dështim në investime e në zhvillim ekonomik; në arsim e në shëndetësi; me pagat më të ulëta në rajon; me afera të pazbardhura korruptive me rezervat shtetërore e tregtimin e energjisë; me luftë të paskrupullt ndaj gjyqësorit, me largimin masiv të rinisë nga vendi, e shumë të tjera”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se në situata si kjo shoqëria duhet të ketë “unitet” dhe “mobilizim”.

“Natyrisht edhe me pafytyrësinë e qeverisë që të gjitha këto dështime t’i paraqes si suksese nTë gjitha këto dështime nuk mund të kalojnë pa ndëshkim. Prandaj sot, më shumë se kurrë kërkohet unitet e mobilizim që të ndalet rënia e shoqërisë dhe e shtetit”.

Më 2 janar, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë se zgjedhjet e përgjithshme mund të mbahen në pranverën e këtij viti, e jo sipas kalendarit të rregullt zgjedhor, meqë në vlerësimin e tij vendi tashmë është në fushatë zgjedhore.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës partitë në përgjithësi po mundohen të pozicionohen në mendjen e qytetarëve si opsion.