Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Qeveria Kurti është më e dobëta dhe paafta në Kosovë. Sipas tij, nën qeverisjen e Albin Kurtit ka degraduar arsimi, shëndetësia dhe ka ngecur zhvillimi ekonomik.
Lideri opozitar në një intervistë për KosovaPress ka kritikuar Kurtin që nuk ka hartuar një draft-statut të Asociacionit, derisa i ka kërkuar të merr një vendim për draftin e propozuar nga euro-amerikanët, të cilin e quan jashtëzakonisht të dëmshëm për Kosovën.
Duke pasur parasysh këto rrethana, Krasniqi është i bindur se gjatë vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, ndërkaq paralajmërimet për luftë frontale me Serbinë i konsideron fryrje e zjarrit pa asnjë arsye nga kryeministri Albin Kurti.
“Qeveria e Albin Kurtit do të mbahet mend si qeveria më e dobët në Kosovën e pavarur, si qeveria më e paaftë, si qeveria më jo efikase në cilëndo prej fushave. Në asnjë fushë ne nuk jemi më mirë sesa kemi qenë para tri apo pesë vjetësh. Arsimi ka degraduar, rezultatet e PISA tregojnë për një rënie më të madhe në cilësinë e mësim-nxënies. Shëndetësia është në kolaps, sot as spitalet më të rëndësishme nuk kanë mjetet elementare, derisa listat e pritjes edhe në ato klinika ku nuk ka pasur janë shkuar në disa muaj. Ekonomia jonë ka ngecur, rritja 3.5 për qind është më e vogël sesa rritja në vitet e para të pavarësisë. Emigrimi ka marrë përmasa shqetësuese, vise të Kosovës, veçanërisht rurale që pothuajse janë shpopulluar totalisht. Kemi një diplomaci në vdekje klinike, ku nuk kanë arritur jo vetëm të marrin në njohje të re, por e kanë humbur edhe mbështetjen dhe respektin nga shtetet më mike të Kosovës. Është kjo qeveri që ka sjellë sanksione nga Bashkimi Evropian”, tha Krasniqi.
Kryetari i PDK-së, thekson se Kurtit i është minimizuar hapësira për taktika sa i përket Asociacionit, andaj në muajt e parë të vitit 2024 duhet të merr vendim ta pranojë ose të refuzojë draftin e propozuar nga euro-amerikanët.
“Ka qenë përgjegjësi e tij që të hartojë draftin që prej ditës që e ka marrë detyrën si kryeministër. Ne e kemi inkurajuar të bëjë një gjë të tillë, publikisht dhe privatisht në ato pak takime që jemi parë. Kosova do të duhej vetë të shkruajë draftin, në mënyrë që të bënte të qartë pozicionimin e vet institucional dhe shtetëror, dhe normalisht të kishte një pozicion shumë më të favorshëm në diskutimet e mëvonshme sa i përket arritjes së një pajtueshmërie me ndërmjetësit ndërkombëtarë… Hapësira për taktika i është minimizuar totalisht kryeministrit dhe ai duhet të merr një vendim një herë në jetën e tij për këtë çështje. Të jetë i qartë, e pranoi ose e refuzoi, pasi nuk mund ta shtyjë gjatë me këtë paqartësi dhe manipulim sikur deri tani”, tha Krasniqi.
Ai konsideron se drafti i Asociacionit krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi sipas tij ka kompetenca të qarta ekzekutive.