Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

Kur kujtoj ngjarje të jetës në burg, më duket sikur jam përsëri atje, më duket sikur po pres të më thërrasin: “Hajde turni 3-të… gati për punë”!

…Në Spaç ishte më e rëndë vajtja në punë, si në dimër ashtu edhe në verë: një malore e mundimshme, vapa që ta merrte shpirtin në verë, të ftohtët, akulli dhe bora në dimër. Në hyrje të minierës, ishin barakat prej dërrase ku mbanim veglat dhe rrobat e punës. Kur binte shi, i gjenim qull. Zhvishnim rroba të lagura dhe vishnim rroba të qullura, që bëheshin si karton, kur ishte ngricë. Por sot dua të dal nga burgu, dua të kujtoj ditët kur u lirova.

Shumë shpejt do të më merrte malli për shokët e burgut…shumë pak më pritën nga shokët e vjetër. Shumica kishin frikë t’i shihnin të shoqëruar me mua. Ndonjë, që frika e kishte detyruar të dëshmonte kundër meje, më fshihej…! I çmoj sot ata që më uruan dhe më përqafuan kur u lirova. Ndoshta për ata ishte e natyrshme, por për mua vlente shumë. Shkova në drejtorinë e Flotës, për të tërhequr dosjen dhe librezën e punës.

Dikur, eh dikur… harroje pse kishe vajtur atje, nga shokët e shumtë që takoje. Në korridor kishte disa marinarë, që u fshehën shpejt e shpejt. U hap një derë zyre dhe doli Myftar Muço, i njohur më shumë si Tare. “Ooooo Makso, sa më bohet qejfi që paske dalë! Me shëndet shyqyr, të shoh mirë. Kishe ndonjë hall që erdhe këtu”?!

– “Ec me mua…”, – dhe hapi derën e kuadrit. Leta Bakri më priti shumë ngrohtë dhe më mbaroi punë menjëherë.

…Vite më pas, një militant i Partisë Demokratike dhe antikomunist “i thekur”, kur më pa që u përshëndeta përzemërsisht me Taren, (ishte viti ’96 dhe unë isha punonjës me rëndësi në Bashki), më tha i çakërdisur: “I flet këtij mutit ti?! A e di që ky është një komunist i qelbët?! Vëllai i vet, Fatosi, është në kryesinë e Partisë Socialiste”?!

– “Unë nuk di pse të flas ty, more mik. Taren e njoh prej kohësh dhe ti nuk ke aspak të drejtë, të më thuash kujt duhet t’i flas dhe kujt jo”.

Dy ditë pasi u lirova, shkova në shtëpinë e Nuro Hotit. Më hapi derën Samija, e shoqja. Nuro më pat dhënë një foto të tijën dhe një letër për familjen. Shkoja më pas shumë shpesh edhe në Lushnjë, te familja e Visarit, që e lashë në Qaf Bar…do të lirohej mbas ndonjë viti. Një emocion i veçantë qe, kur takova ato ditë në Tiranë, të mirin Shefqet Kau…! Filloi qyfyret menjëherë…! “Si të paskan qit prej burgut ty, mor kriminel! Hec me vllain të pimë një kafe”! Shkuam te 15 katshi, por kamarierja na tha, se kishte vetëm kafe elbi…! “Të dhjefsha 15 katshin”, i thashë Kaut…!

– “E dhjesim të dy, – ia pat Çet Kau – Ec, shkojmë te Gëzim Peshkëpia, në shpi, atje do gjejmë kafe patjetër”.

Dhe te Gëzimi gjetëm kafen, që na shijoi me shumë, se po ta kishim pirë te 15 katshi.

Nuk gjeje kafe në asnjë lokal, ato ditë të vitit ’85. Kur vdiq Enver Hoxha, isha në Durrës, te motra. Kunati më tha, se duhej të kishte vdekur Enveri, se radio kishte gjithë ditën që po jepte muzikë funebër. Kur ra dera. Ishte një grua nga fronti: “Jeni të porositur, që në orën 12, të hapni radion”!

– “Faleminderit, patjetër”, – i thotë kunati dhe pasi mbylli derën, nxori një litër raki. – Kjo është raki speciale. Për këtë ditë e ruaj. Po nuk kam për ta hapur pa dëgjuar lajmin e madh.

Lajmi i madh u dha. Uruam njëri tjetrin, e pimë nga një dopjo me fund dhe dola. Baret kishin urdhër, të mos shërbenin pije alkoolike. Klubi më i afërt, ishte përballë Gastronomit.

– “Të lutem, një dopjo fërnet”, – i them kamarierit unë me fytyrë të ngrysur.

– “Më vjen keq, shok, por nuk mundem edhe me të pasë vëlla. Më fluturojnë prej pune…”!

– “Ma hudh në një filxhan kafeje, se po na plas zemra”, – ia pata.

Doja të dehesha. Piva në dy tre klube nga një gotë dhe u ktheva në shtëpi. Mbas dreke, rreth orës 5, bie dera. Ishte Zydi Morava. U përqafuam dhe e ftova të hynte.

– “Jo, – tha im atë – s’keni ku shkoni. Të paktën sot, nuk duhet t’ju shohin bashkë dhe për më tepër të pirë dhe të gëzuar. Pëllëmbë dhe spiunë e keni sot”.

– “O sot, o kurrë, – tha Zydi. – Punë e madhe edhe po na futën brenda. Vdiq diktatori, vdes edhe diktatura me të”!

Dolëm, pimë dhe kujtuam shokët që kishim brenda. Mundoheshim të merrnim me mend, gjendjen e tyre. Kujtuam ata që ishin vrarë dhe nuk arritën të shihnin vdekjen e atij, që nxiu një popull të tërë. Kujtuam martirët e Spaçit dhe të Qaf-Barit. Pimë edhe për kujtimin e tyre. Ishim të lumtur atë ditë të shënuar. Ishim të lumtur dhe shpresonim. Shpresonim dhe fantazonim. Kur e takova Zydin në janar ’91 dhe mori vesh që po luftoja për Partinë Demokratike në Durrës, mbeti keq…!

– “E ke gabim. E di Maks…shkuam një grup ish-të burgosurish politik, për t’u përshëndetur me themeluesit e PD-së. I kishim sytë me lot, kishim parë flamurin pa yll andej nga studentët…! Na hapi derën Ben Imami…! ‘Hë, ça keni ju’?! Kshu, kshu i thamë, mezi e pritëm këtë ditë dhe…’!

– ‘Dhe doni ta keni partinë tuaj tani, ë?! Ec, na leni rehat. Ishim mangut dhe për ju tani…”?!

…E provova vetë në lëkurën time. Nuk na donte njeri nëpër këmbë, u duheshim vetëm për propagandë. U duhemi përsëri për propagandë dhe jo vetëm atyre…!

Shpesh, ndërsa shkruaj kujtimet e mia, provoj një ndjenjë të çuditshme. Më bëhet sikur jam në një seancë hipnoze dhe hipnotizuesi, me fton të shkoj më thellë në kohë…! Unë filloj të bindem, por jo çdo gjë shkon ashtu si ma kërkon ai. Ai ngul këmbë, të gërmoj në kujtesë për vitet 1977-‘84, kurse unë ose shkoj më thellë, e tejkaloj vitin ’77… ose e kam të pamundur, ta kaloj cakun e vitit ’84…?! Ose e kaloj me shumë zor.

Kështu, sot përfundoj në gushtin vitit 1968. Rusët kanë pushtuar Çekosllovakinë. Gjej babin, duke dëgjuar “Zërin e Amerikës” në radio. E ka ulur zërin në minimum, ka vënë veshin te radioja “Stassfurt”, ma bën me shenjë të afrohem dhe thotë vetëm: “Shsht”! Marr një stol dhe ulem pranë tij. Mbas atij fillon emisioni “Evropa e lirë”, por nuk jepet në gjuhën shqipe. Babai e gjen stacionin e duhur, por në gjuhën ruse. “Ti kupton rusisht, – më thotë, – dëgjo ç’thotë dhe ma përkthe pastaj”. Jepet deklarata zyrtare e NATO-s.

Nëse Bashkimi Sovjetik, do të sulmojë Jugosllavinë, NATO do t’i hapë luftë Bashkimit Sovjetik. Në se sulmohet Shqipëria, NATO nuk do të ndërmarrë asnjë veprim luftarak, sepse, ashtu si Çekosllovakia, Shqipëria është vend anëtar i Traktatit të Varshavës”!

Të nesërmen, Radio-Tirana jep deklaratën e kryeministrit Mehmet Shehu, për largimin e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Po atë pasdite, radiot e huaja, transmetojnë deklaratën e plotë të tij dhe deklaratën e Moskës. Moska nuk e njeh këtë largim të njëanshëm dhe do të vazhdojë ta quajë Shqipërinë, vend anëtar të Traktatit të Varshavës. Përçapja e ndrojtur shqiptare, për t’u futur nën ombrellën mbrojtëse të NATO-s, quhet e pavlerë.

…I kujtojmë me shokët në Ballsh dhe në Spaç, ato ngjarje. Në kampin e Ballshit, është një i burgosur veteran, e quajnë Tomorr, me origjinë korçare. Në bisedë e sipër, i kujtohet përmbysja e Musolinit. Tomorri në atë kohë, ishte student i vitit të fundit, në Fakultetin e Mjekësisë në Romë:

– “Kisha dy ditë, që nuk dilja nga dhoma. Bie telefoni, e marr. Ishte një miku im shqiptar: Tomi, e more vesh? Na i mori të keqen Muçua…’! Muço, ne shqiptarët, i thoshim Musolinit që thua ti. Vishem dhe dal. Festë në Romë. Njerëzit ulërijnë me sa kanë në kokë, parulla antifashiste, përqafohen, qajnë… një vajzë e re, as 20 vjeçe, ulet e dhjet sipër një portreti të madh të Duçes; njerëzit e duartrokasin; po ata njerëz që një ditë më parë, kishin për ta denoncuar për një fjalë kundër Duçes”.

Kujtimi i kësaj bisede, më shpie në një tjetër kohë, shumë të ngjashme me ato që tregonte Tomorri.

…20 Shkurt 1991. Në dhjetor ’90, qe krijuar Partia Demokratike. Shkoja përditë në selinë e saj. Na lajmëruan për një miting, që duhet të mbahej po atë ditë, më 20 shkurt ’91, në orën 16.00, para PTT-së në Durrës, organizuar nga sindikatat, PD-ja, PR-ja, etj.

Duke ngrënë drekën, shoh në tv rrëzimin e bustit të diktatorit në Tiranë. Më në fund…! Shqiptarët treguan që kanë gjak. Ah, sikur të isha edhe unë në Tiranë, me ata fatlumët! Por edhe në Durrës, kemi te porti një bust të atij qenit, se dhe porti, emrin e tij ka. Prandaj u bëka ky miting në Durrës. Patjetër, partitë opozitare, duan të solidarizohen me popullin, që në Tiranë rrëzoi monumentin e kriminelit.

Autobuzi Shkozet-Durrës, plot e përplot. Njoh edhe ca spiunë të lagjes, që rrinë si minj të lagur; kanë filluar lojën e “asnjanësisë”, “demokracinë e dum t’gjith, për zotin, Makso”… gjë që do të bëhej e modës, për të gjithë ata tipa, ato vite. Te PTT-ja në Durrës, mitingu fillon në kohë.

Njerëzit janë mbledhur, të zhurmshëm dhe të eksituar prej lajmeve, që vinë nga Tirana. Presin me padurim fjalën e krerëve lokalë të PD-së, PR-së dhe sindikalistëve. Të gjithë krerët që flasin, përsëritin fjalët e njeri tjetrit: “Ne distancohemi nga të gjitha veprimet vandaliste, që kanë ndodhur në Tiranë…”!

…Pëshpëritet gojë-më-gojë, se ky qëndrim, qenka porosi e krerëve opozitarë nga Tirana. Mos more! Ku ishe, hiç-gjëkundi! Pse, prapë do vazhdojmë me parullën e atij, që i hoqën zvarrë bustin nëpër Tiranë: “Ç’thotë partia, bën populli”?! Dua të shkoj te mikrofonat, por është e pamundur të afrohesh; policia e padukshme, nuk le njeri të afrohet aty. Filloj të bërtas me sa fuqi kam: – “Ju distancohuni sa të doni! Ne distancohemi prej jush! Ne jemi me ata që rrëzuan Dullën në Tiranë”!

Nga krahu i djathtë disa gjimnazistë tentojnë të më ngrenë në krahë. Thirrja; “Te porti, të rrëzojmë Dullën”! shumëfishohet nga zërat e mijra njerëzve…! Fillon marshimi drejt portit: njerëzit nga ballkonet, flakin librat e vampirit në flakë. Dy ushtarët që e ruanin, ia mbathin vrapit, sapo turma afrohet nja 2-300 metra. Ditë e paharruar. E rrëzuam kështu edhe në Durrës, Dullën.

Sot, secili flet si të dojë, për ngjarjet e asaj dite, por një gjë nuk e harroj: mbeta në krye të turmës, gjatë gjithë rrugës, nga PTT-ja, deri pranë dyqanit të Dylit. Kur aty pamë se ushtarët që ruanin bustin, po largoheshin me vrap, mezi shpëtova pa u shkelur me këmbë, nga turma e mijra njerëzve. Ra busti në Durrës, Shkodër, Elbasan, Kavajë, Korçë, kudo.

Kudo që kishte buste dhe monumente, pati edhe rrëzues, edhe përdhosës të atyre monumenteve. Për mua këto skena, nuk ishin të reja. M’i kishte treguar Dr. Tomorri, ai korçari i mençur, qysh në vitin 1978, në kampin e përqendrimit në Ballsh, kur kujtonte rënien e Musolinit…!

Sot ka ende trushkulur, që e mbajnë si hero kombëtar, atë që ishte xhelati i popullit shqiptar. “Nëna e budallenjve, është gjithnjë shtatzënë”, thotë një proverb italian.

“Kemi ndarë me njëri tjetrin, ato pak gëzime që kishim. Kemi mbështetur njëri tjetrin. Kjo na mbajti gjallë në burg, zoti Xhafer”, – këto ishin fjalët që i tha tim eti, miku im Islam Spahiu, kur erdhi për të uruar dhe gëzuar bashkë me ne, lirimin tim nga burgu, ato ditë shtatori ’84. Kemi ndarë bashkë, ato pak gëzime, fjalë lapidare. Kush ka qenë në burg, i ndjen këto fjalë në shpirt.

Pa miqësinë e njëri tjetrit, do të kishim luajtur menç. E kuptoj dhe zhgënjimin e mjaft miqve të mij, për ndonjë që ka qenë me ne në burg, kur thonë: “Si i harroi ato vite që kaluam në Spaç, Qaf Bari…kur ndanim një cigare 4 vetë, kur…”?! Sepse kur ishim atje, nuk kishim nevojë t’i luteshim njëri tjetrit për gjë.

Mjaft që t’i shpjegoje gjendjen tënde dhe ata e dinin vetë, se çfarë duhet të bënin, për lehtësimin tënd. Por ja, që ka edhe nga ata që harrojnë dhe merren vetëm me veten e tyre, pozicionin që kanë arritur. Unë u uroj gjithë të mirat edhe këtyre. Jeta të lodh, vitet, mosha, vuajtjet e kaluara, bëjnë të vetën. Ndoshta solidariteti mes nesh, nuk është më në modë.

Por unë e di mirë, që secili prej nesh, është ai që është, edhe në sajë të miqve dhe shokëve, që e mbajtën gjallë në burg. Sepse, ishim familje për njëri tjetrin. Një familje, që për mua është e shenjtë dhe do të përpiqem ta ruaj. Por, është dhe ndokush prej nesh, që kërkon më tepër se ç’duhet dhe e tepron.

Kur punoja në Bashkinë e Durrësit, më erdhi një shok burgu, njeri i ndershëm dhe shok i mirë. Më erdhi në zyrë dhe më ftoi për kafe. U çmallëm, kishim gjithë ato vite pa u parë. Banonte në Tiranë tani dhe merrej me ndonjë tregti të vogël. Nuk ishte pasuruar, por gjithsesi jetonte. Më uroi për detyrën dhe:

– “Dua një nder nga ty Makso. Dua të më japësh ndonjë pronë andej nga plazhi, ose një copë tokë fundja, se nuk bëhet nami…! Jemi apo nuk jemi shokë”?

Mbeta keq! I shpjegova se unë merrem me marrëdhëniet me jashtë në Bashki, me protokollin, me shtypin, se…!

– “Leri mor këto…! E dinë të gjithë që je krah i djathtë i Tomor Golemit, kryetarit të Bashkisë. Apo u rregullove për vete ti dhe ç’u qi t’ëmën, shokëve?! Po thuaj që nuk dua të jap, mos u mundo të më mbushësh mendjen mua. Ehuu, kush është nëpër zyra ka vënë miliona”.

I thashë: – “Kujt t’ia marr pronën dhe të ta jap ty?! Nuk merrem me pronat, detyra ime, janë marrëdhëniet me jashtë, shtypi, pritjet protokollare… pse s’më kupton…jetoj vetëm me rrogën dhe veç shtëpisë, nuk kam pronë tjetër”!

Ishte e kotë. U ngrit në këmbë, qejfmbetur:

– “Ika, nuk të bie më në qafë. Po në qoftë e vërtetë, që nuk ke xhapur gjë për veten tënde, më fal që po ta them, po paske qenë gomar tërë jetën…”?!

Ma ka dhënë dhe ndonjë tjetër këtë epitet. Por ky jam unë. Ky kam qenë dhe nuk kam për të ndërruar. Prandaj, ndoshta, nuk bëra dot karrierë si nëpunës. Jetoj me një pension minimal, si emigrant në Itali dhe shkruaj këto kujtime…! Memorie.al