Punimet në lotin 2 të Unazës së Madhe, atë që lidh sheshin Shqiponja me Paskuqanin kanë avancuar ndjeshëm, teksa aktualisht është duke u punuar për sinjalistikën. Nga ana tjetër, sipas drejtuesve të ARRSH, pritet që ky lot të jetë i hapur për të gjithë qytetarët në muajin Maj të këtij viti.

Loti 2 është mbi 2 kilometra dhe konsiderohet segmenti më i gjatë i Unazës së Madhe të Tiranës.

Përgjegjës i Sektorit të Menaxhimit të Projekteve të Brendshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë Gëzim Noni thotë se kjo pjesë është drejt përfundimit.

“Punimet në këtë lot kanë avancuar jashtëzakonisht mirë deri tani, kanë një ecuri rreth 85.7% të totalit të tyre. Nëse do të bënim një bilanc të përgjithshëm, jemi diku rreth 50% të punimeve të kryera tani”.

Në këtë aks janë ndërtuar një sërë veprash arti dhe rrugë dytësore, të cilat e lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit.

“Dy ura mbi lumin Tirana të cilat, njëra është 280 metër linear dhe tjetra 130 metër linear. Po kështu, kemi 2 nyje të rëndësishme që lidhin zonën përreth në lotin 6 dhe në lotin 5”.

Ky projekt i cilësuar si i rëndësisë së veçantë, do të sjellë jo vetëm lehtësi në qarkullim, por edhe përfitime ekonomike.

“Përveç se është një ndërtim bashkëkohor, krijon një lidhje të mirë të zonave përreth. Siguron edhe një rritje të vlerës së pronave që ndodhen në të dyja anët e kësaj unaze”.

Unaza e Madhe e kryeqytetit me një gjatësi prej 27 kilometra, pritet të përfundojë plotësisht në Dhjetor të vitit 2024, duke e lidhur kryeqytetin me gjithë rrugët dalëse kombëtare dhe akset kryesore hyrëse, duke shkurtuar distancat.

Deri tani projekti përllogaritet të ketë kushtuar 373 milionë Euro.