Nga Ulsi Manja/

Përkujtojmë sot për të 13-in vit me rradhë dëshmorët e një ngjarje që nisi si një reagim popullor kundër korrupsionit dhe rrënimit të shtetit të së drejtës dhe përfundoi si një ngjarje tragjike në dyert e Kryeministrisë ku pushteti vrau pabesisht katër qytetarë të pafajshëm!

Që nga ajo ditë e trishtë e 21 janarit as ju si familjarë e as ne si forcë politike nuk kemi ndaluar për asnjë çast së kërkuari drejtësi për viktimat e pafajshme të asaj dhune shtetërore dhe pse ishim të vetëdijshëm që nga një sistem drejtësie i kalbur dhe i friksuar deri në palcë nga pushteti i kohës nuk prisnim drejtësinë e vërtetë!

Ne si opozitë, në atë kohë të pa shpresë, u premtuam shqiptarëve një drejtësi të re dhe Drejtësi të plotë për viktimat e 21 janarit!

Kontrata e Edi Ramës dhe e PS me shqiptarët në vitin 2013, qe jo thjesht reformimi, por rithemelimi i një sistemi drejtësie të pavarur si guri i themelit për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

E premtuam dhe e bëmë, sigurisht dhe me ndihmën e partnerëve tanë dhe tani po e mbështesim pa rezerva pavarësinë e saj!

Por a janë rezultatet e kësaj drejtësie të re në nivelin e pritshmërive të publikut?

A po përkthehet pavarësia e sistemit të ri të drejtësisë në rezultate të prekshme për qytetarët të cilët presin që boshllëku i krijuar nga padrejtësia të mbushet me drejtësi?

Fakti që sot pas 13 vjetësh, drejtësia për 21 janarin si krim shtetëror është ende në ajër, tregon qartë se brenda sistemit të ri të drejtësisë, ka magjistratë me çertifikatë vetingu të paaftë profesionalisht që punojnë akoma me mentalitetin e vjetër të mbylljes së dosjve me procedurë apo me skadim të afateve të hetimit sepse kanë frikë të përballen me hetimin e dosjeve të rëndësishme dosje që në jo pak raste janë paguar me kosto jete njerëzish të pafajshëm si në rastin e 4 dëshmorëve të atdheut, Aleksit, Ziverit, Hekuranit dhe Faikut e shumë e ngjarje të tjera të rënda.

Bashkëshortja dhe dy vajzat e Aleksit, që sot janë 13 vite më të rritura, familjarët e Hekuranit, Ziverit dhe Faikut nuk mund të rrinë peng i disa magjistratëve brenda sistemit, që duke tundur në dorë një çertifikatë vetingu përpiqen ti vënë kapak floriri me procedurë të vërtetës për 21 janarin por edhe për shumë e shumë ngjarjeve të tjera ende të pazbardhura dhe të pandëshkuara që flenë në sirtarët e tavolinave të tyre të punës.

Paaftësisë së tyre duhet ti dalë për zot vetë sistemi i drejtësisë ndërsa metodat e tyre të vjetra të punës do të hasin në murin e fortë të ligjvënësit që po qe nevoja do të prekim dhe procedurën penale me qëllim që asnjë krim të mos mbetet pa u ndëshkuar për shkak afatesh kohore.

Drejtësia nuk mund të jetë çështje dëshire magjistratësh të caktuar brenda sistemit, por është detyrë për tu përmbushur nga çdo magjistrat qofshin këto prokurorë apo gjyqtarë dhe këtë nuk e them unë e thotë kushtetuta dhe ligjet e reja të reformës në drejtësi, ndaj duhet ti përshtaten sepse ne i kemi dhënë duart njëherë e përgjithmonë drejtësisë së vjetër si veprim dhe mentalitet!

Në rafshin njerëzor, përtej kostumit të Ministrit të Drejtësisë, si drejtues politik i qarkut Lezhë, por dhe si miq të vjetër më ka rastis shpesh të bisedoj me av.Markun, Mark Nikën, që sot është këtu i pranishëm dhe unë e di brengën e familjes Nika për mungesën e drejtësisë për Aleksin, vërtet drejtësia nuk ua kthen njeriun e tyre të dashur por ama rivendosja e drejtësisë dhe ndëshkimi i autorëve të vërtetë të vrasjes do tua lehtësojë sadopak dhimbjen. Dhe kjo vlen njëlloj edhe për familjarët e Faikut, Hekuranit dhe Ziverit!

Pra shkurt 21 janari kërkon nga drejtësia të bëjë drejtësi të plotë, dhe drejtësi e plotë do të thotë që autorët e vërtetë dhe përgjegjësit direkt të këtij krimi shtetëror të shkojnë para drejtësisë dhe të marin ndëshimin e merituar

Dhe këtë nuk e kërkojnë vetëm familjarët e tyre. Ne apo shoqëria e civilizuar në Shqipëri, por këtë tashmë e kërkon dhe GJEDNJ në vendimin e saj “Nika kundër Shqipërisë”, me konkluzionin e vet domethënës që: Autoritetet dështuan ta hetojnë 21 janarin si krim shtetëror, duke shkelur nenin 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në bazë të nenit 46 të po kësaj konvente shteti nëpërmjet autoriteteve të brendshme të vazhdojnë përpjekjet për qartësimin e rrethanave të vdekjes së të afërmit të kërkuesve dhe për ndëshkimin e personave përgjegjës.

Kjo është magjia e drejtësisë: vonon por kurrë nuk harron!

Tani presim drejtësinë e munguar, por jo nga magjistratë fikacakë por nga magjistratë që e konsiderojnë drejtësinë të verbër përballë individëve dhe meren vetëm me faktin penal dhe provat dhe nuk hezitojnë ti bien çekiçit të drejtësisë. Sistemi në tërësi dhe magjistratët që kanë marrë përsipër barrën e drejtësisë së re nuk duhet të presin që gjerat tua thotë Strasburgu si në rastin e 21 janarit apo dhe në raste të tjera, sepse tani nuk ka më asnjë alibi për sistemin e ri të drejtësisë, pasi janë pushteti më i paguar dhe më i mbrojtur kushtetutshmërisht në Shqipëri, por jo i mbrojtur nga aspiratat e shqiptarëve për një drejtësi të pavavrur dhe të shpejtë që nuk ua mohon dot askush , sepse në një sistem demokratik këtë e kanë fituar me votën e tyre!

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre dhe u bëftë sa më shpejt drejtësi për shpirtrat e tyre të pafajshëm!