Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Shqalsi Cara, ka zhvilluar një vizitë në Spitalin e ri të Laçit, i ndërtuar nga e para pas shembjes së godinës së spitalit të vjetër për shkak të dëmtimeve nga tërmeti i nëntorit 2019.
Në Spitalin Bashkiak të Laçit, rreth 80 mijë banorë marrin shërbime shëndetësore në ambiente të transformuara, kushte bashkëkohore dhe aparatura të teknologjisë së fundit. Së fundmi stafit të këtij spitali i janë bashkuar 11 mjekë specialistë të cilët apeluan së bashku me ministren Koçiu për kryerjen e vaksinimeve të rregullta pasi janë të sigurta për të gjithë popullatën.
“E rëndësishme është që të japim edhe një mesazh për vaksinën e fruthit sepse këto ditë po dëgjojmë që janë shtuar rastet. Për aq kohë sa është një vaksinë e përfshirë në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit dhe është një vaksinë që mbron 100% për rrezikshmërinë që mund të sjellë sëmundja e fruthit. Është e domosdoshme për t’u kryer dhe apeli i shkon gjithë prindërve: Vaksinoni fëmijët për një jetë të sigurt, për një jetë të shëndetshme. Vaksina është falas, është në çdo qendër shëndetësore. Kështu që do ju lutesha shumë që ta merrni shumë seriozisht që të mos rrezikoni jetën e fëmijëve”, apeloi ministrja Koçiu.
Gjithashtu, ajo theksoi se në një infrastrukturë të përmirësuar shëndetësore është shumë e rëndësishme që ekipet shëndetësore të shërbejnë me humanizëm për qytetarët që vijnë dhe trokasin në dyert e spitalit.
“Do doja shumë që ta dëgjojmë Laçin si një qendër ekselence, si një pol ekselence për shërbimet shëndetësore. Dhe jam e bindur që do ta bëni të gjithë me këtë përkushtim që pash sot këtu”, nënvizoi ministrja Koçiu. Në Bashkinë Kurbin, janë në rikonstruksion edhe 5 qendra shëndetësore, 3 prej të cilave do të rindërtohen nga e para. Spitali Bashkiak i Laçit shërben edhe si pikë e parë në raste aksidentesh në Rrugën e Kombit apo dhe në Autostradën Milot – Fushë Krujë, ku numri mesatar i vizitave mujore në shërbimin e urgjencës është 3000 pacientë. Në këtë spital janë shtuar edhe shërbime të reja në ortopedi, pediatri, kardiologji dhe pathologji.