TIRANË-Moti i keq që ka përfshirë vendin, me stuhi dëbore në veri dhe juglindje, ka shkaktuar problematika edhe në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra.
Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku bën me dije se janë mbi 1500 punonjës të OSSH-së të angazhuar në të gjithë vendin, për të siguruar furnizimin me energji elektrike. Ministrja thekson se prioritet janë objektet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë.
“Me të gjitha kapacitetet në terren për menaxhimin e situatës së krijuar si pasojë e përkeqësimit të motit. Mbi 1500 punonjës të OSSH, në 12 rajonet e vendit, janë angazhuar për të siguruar furnizimin me energji elektrike. Prioritet janë padyshim objektet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë”, shkruan Balluku.
Po ashtu, Ministrja i bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, deri në normalizimin e situatës.
“Ndërkohë, ARRSH ka mobilizuar të gjitha grupet e punës për të siguruar mbajtjen hapur të akseve rrugore dhe garantuar siguri në lëvizje. Ftojmë qytetarët të evitojnë lëvizjen e pa nevojshme, deri në normalizimin e situatës. Puna në terren po vijon në çdo zonë ku janë raportuar problematika”, thekson Balluku.