Kredimarrësit që normën e interesit e kanë të përcaktuar mbi treguesin TRIBOR do të njoftohen nga bankat tregtare sepse ky indeks nuk do jetë më i vlefshëm nga 1 gushti i këtij viti.

Banka i bën thirrje kredimarrësve të lexojnë kontratat e kredive dhe të interesohen nëse preken nga ky ndryshim.

Nuk do të merret më parasysh treguesi TRIBOR që publikohej nga Banka e Shqipërisë bazuar mbi kuotime, por do t’i lihet në dorë vetë bankave që ta vendosin bazuar mbi tregun ndërbankar. Lëvizja liberalizon tregun e normave të interesit ndërsa vendimi për këtë është marrë nga këshilli mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë gushtin e vitit të kaluar.

TRIBID-i dhe TRIBOR-i janë mesatare të interesave të kuotuar nga bankat e nivelit të dytë për pranimin dhe për vendosjen e depozitave në tregun ndërbankar të parasë, ku bankat e nivelit të dytë kryejnë ndërmjet tyre veprime huamarrjeje dhe huadhënieje, në monedhën vendase – lek. Normat fikse të interesit të tregut ndërbankar të parasë, TRIBID-i dhe TRIBOR-i llogariten dhe publikohen për transaksionet me afat njëditor, njëjavor, 1-, 3-, 6- dhe 12-mujor.