Policia Rrugore ka nisur gjobitjen e këmbësorëve të cilët kalojnë rrugën në mënyrë të gabuar duke u bërë kështu burim aksidenti. Gjoba e vendosur ndaj qytetarëve është në vlerën 1 mijë lekë të reja. Mirëpo, ende qytetarët janë në dilemë se si do i paguajnë këto gjoba që do të marrin.

Efektivja e Policisë Rrugore, Anxhelina Bregu, së fundmi ka treguar më tepër detaje lidhur me gjobat e kmëbësorëve ku dhe ka shpjeguar se si do bëhet dhe pagesa. Ajo ka sqaruar se pasi këmbësorëve u vendoset gjoba, atëhere atyre do u merret karta e identitetit deri në shlyerjen e gjobës. Më pas, këmbësori do të kehet me mandatin e pagesës tek punonjësi i policisë i cili i vendosi gjobën, për të marrë mbrapsht kartën e identitetit.

“Do ta sqaroj dhe këtë. Policia Rrugore thjesht e vendos në zbatim. Përsa i përket vjeljes së kësaj mase, e kam thënë edhe herë të tjera, ne i referohemi nenit 205, ku na jepet e drejta për t’i mbajtur 1/3 e dokumentacionit të mjetit. Njëkohësisht, ne nuk mund ta mbajmë dot dokumentacionin sepse është këmbësor, por i marrim kartën e ID-së deri në shlyerjen e gjobës. Dhe ky drejtues… Më pas, rikthehet tek punonjësi i policisë për t’i dhënë mandatin e pagesës”, tha ajo në emisionin “Aldo Morning Show”.

Bregu theksoi se masë nuk mbetet në historikun e qytetarit, por nëse përsëritet atëhere do të marrin sërish gjobë.