Viti 2024 ka nisur shumë mbarë për shtetin e Kosovës. Liberalizimi i vizave po pason me një sërë zhvillimesh të tjera pozitive.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar ditën e sotme se edhe Spanja i është shtuar listës së vendeve që njohin pasaportën e Kosovës dhe si rrjedhojë shtetasit kosovarë mund të udhëtojnë pa viza edhe drejt këtij shteti.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Bislimi shkruan se Drejtoria e Përgjithshme për Migrim dhe Punët e Brendshme të Bashkimit Evropian (DG Home) ka njoftuar se tashmë Spanja njeh pasaportat e Kosovës.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ku bëjnë pjesë Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, nga 1 janari mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen me 27 anëtarë, pasi hyri në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Madje pas liberalizimit të vizave, pasaporta e Kosovës është fuqizuar në renditjen botërore. Kështu nga vendi i 91-të që ishte deri para liberalizimit të vizave, sipas indeksit të pasaportave, tani pasaporta e Kosovës renditet e 55-ta në botë për nga fuqia e saj.