Nga Ilir Yzeiri*

Sipas të gjitha statistikave, shpenzimet për prodhimin, blerjen apo shitjen e armëve në botë, asnjëherë nuk kanë qenë më të larta se tani. Sipas « TV 5 Monde » shpenzimet ushtarake botërore globale u rritën me 3.7% në 2022, duke arritur një rekord të lartë prej 2.24 trilion dollarë. Tre vendet që shpenzuan më shumë ishin Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, duke zënë 56% të totalit global. Importet e armëve nga shtetet e Afrikës Sub-Sahariane ranë me 23%. Këto shpenzime janë sa 80 herë PBB-ja e Senegalit, tetë herë sa ajo e Portugalisë apo edhe katër herë sa ajo e Argjentinës. Ky është niveli rekord i shpenzimeve ushtarake globale i arritur në vitin 2022, ose 2,240 miliardë dollarë sipas të dhënave të reja nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI).

Gjatë vitit 2022, ato u rritën me 3.7%, rritja më e madhe vjetore në të paktën 30 vjet. Tre vendet me më shumë shpenzime në vitin 2022 janë Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, që përfaqësojnë 56% të totalit global. Shumë studiues vërejnë se bota ka mbetur pa një lider të fortë botëror, i aftë që të negociojë apo të ndalojë përhapjen e konflikteve të armatosura. As institucionet ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara apo NATO nuk po ia dalin që të ndalojnë konfliktet dhe të ngjallin siguri. Rusia e Putinit tashmë nuk i frikësohet asnjë aleance. Finlanda ndjehet e kërcënuar, Suedia, po ashtu. Polonia ka paralajmëruar se është nën kërcënimin rus. Konflikti i zgjatur në Ukrainë dhe kontrolli që ka marrë Putini në rreth 20% të territorit të atij vendi, lufta e vazhdueshme dhe mungesa e një perspektive të qartë për fundin e atij konflikti, e kanë bërë të zymtë perpsektivën e paqes në botë. Kina kërcënon me luftë Taivanin. Konflikti që ka shpërthyer në Lindjen e Mesme pas sulmit terrorist të Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor e ka zgjeruar hartën e luftërave dhe në të janë përfshirë ku direkt ku indirekt edhe Irani e Jemeni. Ngushtica në Detin e Kuq është vënë në rrezik nga sulmet terroriste të Hutive. Europa dhe SHBA-të kanë shtuar praninë ushtarake aty por askush nuk e di se si do të përfundojë ai konflikt. Për të mos folur pastaj për luftërat lokale në Afrikë e vende të tjera. Ndërkaq, zgjedhjet në Amerikë po sjellin paqartësi dhe pasiguri.

Mesa duket Trump do të jetë kandidati republikan për në zgjedhjet e nëntorit dhe sondazhet thonë se ai mund t’i fitojë ato zgjedhje. Gjatë fushatës së tij ai e ka bërë të qartë se do ta nxjerrë Amerikën nga NATO-ja dhe se do t’ia heqë SHBA-ve forcën dhe mandatin e liderit botëror. Ajo që do ta ndiejë më shumë do të jetë Europa. Largimi i mundshëm i SHBA-ve nga NATO-ja dhe politika e Trump-it për ta mbajtur Amerikën larg konflikteve në botë do të sjellë një realitet të ri ku gjithsecili shtet do ta ndiejë vetën zot për të sulmuar cilindo vend tjetër me pretendimin se do të rivendosë të drejtat e mohuara. Këtë kaos global ne po e shohim realisht edhe tani. Nuk ka pjesë të globit që të mos jetë përfshirë në një konflikt të armatosur.

E, ndërkaq, të gjithë përmendin Ballkanin si territorin e brishtë dhe arealin e mundshëm të një konflikti të ri. Rusia e Putinit, nëse nuk do të ndalohet nga NATO dhe SHBA-të, shumë shpejt, do ta gëlltisë pa asnjë rezistencë edhe Moldavinë apo Gjeorgjinë. U harrua se me çfarë lehtësie iu shkëputën Armenisë dy krahinat e Nagorni-Karabakut dhe iu ngjitën Azerbajxhanit. Shqipëria dhe Kosova, por gjithë shqiptarët në Ballkan, duhet të jenë të vetëdijshëm se zhvillimet e reja gjeopolitike mund ta bëjnë edhe këtë territor një arenë konfliktesh. Për momentin, paqja e brishtë në Kosovë, po ruhet e mbahet nga forcat e KFOR-it. Provokimet e muajve të kaluar jo vetëm që nuk janë dënuar nga Serbia, por janë mbrojtur me një retorikë nacionaliste. Aleati dhe miku i ngushtë i Vuçiçit, ish shefi i zbulimit serb, Vulin, i shpallur non grata nga SHBA-të, është shfaqur më shumë se duhet në hapësirën publike serbe duke kërcënuar me fjalor revanshist. Takime si ai i Shkupit për të projektuar të ardhemn e Ballkanit përmes zhvillimit ekonomik të përbashkët dhe duke mos mbetur peng të historisë, janë një gjë e mirë, por nuk duhet të harrojmë se historia përsëritet edhe atëherë kur ne nuk duam apo nuk dëshirojmë ta kujtojmë atë.

*Komenti i emisionit ADN