Nga kjo qendër që ndodhet në Dobresh, 13 kilometra larg Tiranës për pak javë do nisë puna për hartimin e projekteve inovative me rëndësi për zhvillimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Nga 11 punonjës që kërkohen, 10 prej tyre, thotë Drejtori i Qendrës së Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Lorenc Çala, janë për ekspertë për fusha të caktuara.
“Ne kërkojmë ekspertë në fushën e inovacionit, ekspertë për zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve, ekspertë që kanë të bëjnë me administrimin e sistemeve IT, ekspertë për sigurinë kibernetike, ekspertë për mbështetjen e start up-eve”.
Pagat për ekspertët do të nisin nga 2 200 euro në muaj, për ato që kanë mbi 5 vite eksperiencë paga është edhe më e lartë.
“Ne kemi rreth 65 kandidatë të interesuar”.
Qendra e organizuar në tre godina ka për qëllim edhe mbështetjen e start up-eve.
“Duam që të afrojmë edhe talentet dhe të suportojmë start up-et në këtë fushë. Është shumë e rëndësishme që start up-et në fillimet e tyre, të ideimit dhe konceptimit të ideve të mbështeten me mentorim dhe këshillim nga ekspertë të fushës”.
Aplikimet për vendet e lira të punës janë të hapura deri me 18 janar.