Nga Mero Baze/
Nëse do të kuptosh nëse një akt dhune më emër të Berishës është bërë prej tij, mos heto të gjesh si e ka përgatitur Berisha, por shiko si e mbron pasi e kryen.
Në modelin e tij të dhunës apo provokimeve ndaj kundërshtarëve, Berisha nuk merret personalisht me individët, pasi me ata merren të tjerë. Berisha merret me mbrojtjen e tij publike.
Fjala vjen kur banditët e tij dhunuan vajzën e Gramoz Pashkos më 92, ai nuk mbrojti vajzën por banditët, kur sulmuan Eduard Selamin, nuk mbrojti Selamin por dhunuesit, kur sulmuan Dash Shehin, nuk mbrojti atë, por i tha karrigethyer dhe mbrojti dhunuesin.
Njësoj ka vepruar me dhunuesit e gazetarëve, apo personaliteteve publike sa herë dhunohej Koha Jonë, Tema apo Edi Rama dhe udhëheqës të tjerë në opozitë.
Ngjarja e sotme në takimin e Edi Ramës me rastin e 21 janarit do të ishte banalitet, sikur të mos reagonte Sali Berisha.
Por ai reagoi. Nuk e mbajti dot gëzimin që dikush e çoi porosinë e tij në vend dhe i tha Edi Ramës “ti i vrave ata më 21 Janar”, jo Berisha. Siç tha vetë Berisha më 21 Janar në orën 19.30 në mbrëmje, kur me montazhe të TV Klanit, po përpiqej të gjente vrasës një plak me çadër “pistoletë”.
Reagimi i menjëhershëm i Berishës për të mbrojtur një të lajthitur që kishte futur në takim, tregon makthin real të Sali Berishës, tani që po i shtrëngohet rrethi i prangave për 21 janarin.
Ekzaltimi i tij dhe mbi të gjitha thirrja që “të mos preket” njeriu që kishte futur në takim, tregojnë qartë se i dërguari i kujt është ai, por mbi të gjitha mentalitetin e dhunës që ka, pasi mendon se pasi arrestohet, ai duhet të dhunohet. Siç bëri ai me të çmendurin që e qëlloi më 6 dhjetor.
Atij nuk i doli njeri zot, përkundrazi u distancuan të gjithë. Madje as aktin e tij nuk e përgëzoi njeri.
Nëse ai do kishte qëlluar Edi Ramën apo çdo kënd që është kundërshtar i Berishës, ai do ta kishte shpallur hero dhe do bënte thirrje të mos prekej.
Kjo është diferenca jo vetëm në mentalitet mes Berishës si lider i dhunshëm dhe të tjerëve, por dhe diferenca në mënyrën se si Berisha përpiqet ta inkurajojë dhunën apo provokimet edhe kur është i izoluar në kat të tetë të papafingos.
21 Janari, po rihapet pas vendimit të Strasburgut dhe ekspertizës Italiane për armën që ka qëlluar Aleks Nikën dhe ajo çështje duhet të gjykohet në SPAK.
Sali Berisha është jo vetëm i akuzuari kryesor, por autori kryesor i gjithë asaj tragjedie, që përfundoi me katër të vrarë të pafajshëm, për të cilët nuk u vendos kurrë drejtësi falë pushtetit të Sali Berishës në drejtësi.
Tani ai e kupton se ka pak hapësirë të shpëtojë nga ai gjyq. Të lajthiturit që dërgon lart e poshtë nëpër takime, të përsërisin ato që ai thoshte dy orë pas vrasjeve kur ishte po kaq i çmendur si këta, ja shtojnë më shumë fajin, pasi na tregon të gjithëve, kush po tmerrohet nga rihapja e kësaj çështje nga drejtësia.
Dhe siç e ka zakon para çdo rreziku nga drejtësia, ai përveçse agresiv dhe i dhunshëm, bëhet mbi të gjitha qesharak.