Politika në Kosovë, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani, kanë përshëndetur ngrohtë zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, por krejt ndryshe ka reaguar Albin Kurti. Në një deklaratë të ftohtë formale, kryeministri i Kosovës nuk përmend në asnjë rresht fjalën “shqiptar”.

Pa e fshehur cinizmin ai i kujton Xhaferit se në detyrë do jetë vetëm tre muaj, ndërsa nuk kursen fjalët e ngrohta për kryeministrin e dorëhequr maqedonas. Kurti dhe Vetëvendosja janë përfshirë në fushatën zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kundër BDI-së së Ahmetit dhe Xhaferit.

Gazetarja Linda Karadaku, në një raportim live, përmendi gjithashtu edhe reagimin e këshilltarit të Kurtit Bekim Qoku, i cili me gjasë mund të jetë në listat e VV në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga Kurti dhe këshilltari i tij, kanë reaguar presidentja Osmani dhe tre krerët e partive politike opozitare në Kosovë.

Reagimet janë në kontrast të thellë me njëri-tjetrin. Reagimi i Kurtit është cinik dhe nëse lexohet nga fillimi deri në fund është një reagim në kontrast me atë të Osmanit dhe të tre partive kryesore politike. Nuk e përmend fare faktin që bëhet fjalë për një kryeministër shqiptar, si një arritje historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe rajon. I kujton se do të jetë vetëm kryeministër teknik për një periudhë tre mujore. I gjithë reagimi i Kurtit është si i bërë nga halli por është cinik në raport me Xhaferin, pa përmendur në të kontributin thelbësor të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Osmani vë theksin tek kontributi që kanë dhënë shqiptarët në rrugëtimin euroatlantik por jo vetëm. Me Kurtin ka reaguar edhe këshilltari i tij, Bekim Qoku, që pritet të jetë në listat e kandidatëve për deputetë të VV në Maqedoni. Reagimi i tij është nga ajo që nuk pret që të shikosh nga një shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Ai vë në pikëpyetje nëse zoti Xhaferi është kryeministër shqiptar apo jo sepse sipas tij, nëse do të ishte duhet të kishte vizituar varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Maqedoni dhe kjo i thuhet Xhaferit që ka qenë një ndër njerëzit më të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare. Ndërkohë që reagimet e tre kryetarëve, të PDK, AAK dhe LDK-së theksojnë faktin historik që për herë të parë do të jetë një kryeministër shqiptar, theksojnë kontributin që kanë dhënë shqiptarët për këtë vend.”, u shpreh gazetarja.