TIRANË-Me vendime të kryeministrit Edi Rama, ekzekutivi shqiptar ka tashmë edhe një portofol të ri, i cili preku drejtpërdrejt dy ministri, atë të Kulturës dhe të Ekonomisë e Financave.
Kultura u shkri, e po ashtu një pjesë e rëndësishme e ministrisë që drejtohej nga Ervin Mete, kaloi nën patronazhin e ministrisë e re që drejtohet nga Blendi Gonxhe.
Me këtë rikonceptim Ervin Mete do të jetë përgjegjës vetëm i financave të shtetit. Ndërkohë që selia e ministrisë që drejtohet prej tij nuk do të ndryshojë.
Për ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ende po punohet për ndarjen e fushave të përgjegjësisë. Mësohet se selia kryesore e Ministrisë së Blendi Gonxhes, ku do ketë zyrën vetë ministri dhe drejtuesit kryesore të këtij dikasteri, do jenë në qendër, por ende nuk është vendosur se në cilën godinë. Ndërkohë që do jenë në përdorim edhe ambientet e ish-Ministrisë së Kulturës.
Si një portofol i ri dhe me një fushë të gjerë veprimi, po punohet për të përcaktuar organigramën e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Kjo do të thotë përcaktimin e zëvendësministrave apo krijimin e drejtorive të reja, të cilat do të jenë përgjegjëse për fushat përkatëse. Rëndësi dhe vëmendje do t’i jepet inovacionit, si një prioritet e përcaktuara tashmë nga kryeministri Edi Rama në një botë ku teknologjia po merr revansh të madh.
Ministria e re e krijuar, që iu shtua strukturës së Këshillit të Ministrave është ajo për Administratën Civile dhe Antikorrupsionin, që drejtohet nga Adea Pirdeni. Një ministri e ngritur jo pa qëllim, pasi fushat e përgjegjësisë janë të rëndësishme në procesin e negociatave me BE-në.
Administrata Civile dhe antikorrupsioni janë pjesë e kapitujve negociues të Shqipërisë me Brukselin zyrtar. Vetë Bashkimi Europian, në raportin e fundit të progresit publikuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, e ka bërë të qartë se mbështetje dhe inkurajinimin ndaj Shqipërisë për të vazhduar reformat, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të ecë përpara me reformën e administratës publike.