Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të martën se Beogradi do ta prezantojë muajin e ardhshëm një sistem rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, të cilën e ka blerë kohë më parë nga aleatja e vet, Rusia.
Prezantimi i tij do të bëhet në Festën Kombëtare të Serbisë më 15 shkurt në qytetin jugor Nish, sipas tij.
Vuçiç nuk tregoi se kur e mori Serbia saktësisht sistemin e ri, por shtoi se “ai është në duart tona”, dhe se Serbia e ka paguar për të shumë kohë më parë.
Gjatë një vizite në kazermën Topçider në kryeqytetin serb më 30 janar, Vuçiç kishte thënë se janë ndarë para nga buxheti i Serbisë për “701 sisteme komplekse të armëve nga industria vendase” dhe se “më shumë se 850 të tjera do të prokurohen në vitet e ardhshme”.
Ai përsëriti se Serbia është një “superfuqi rajonale e tankeve” dhe se Serbia është “afër kompletimit të baterisë së tretë të sistemit raketor të mbrojtjes ajrore, FK-3, nga Kina”.
Vuçiç njoftoi për sistemin e ri antidron disa javë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan, vendim të cilin lideri serb e cilësoi si një “zhgënjim i madh”.
Serbia e deklaron veten si një vend ushtarakisht neutral dhe blen armë si në lindje ashtu edhe në Perëndim.
Ajo synon anëtarësimin në Bashkim Evropian, por është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli për shkak të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën në fushën e mbrojtjes.
Që nga viti 2016, Serbia ka blerë vazhdimisht pajisje ushtarake dhe armë nga Rusia.
Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, asnjë kontratë e re për prokurimin e armëve nuk është lidhur. Vuçiç deklaroi në mesin e shtatorit 2022 se një pjesë e dërgesave të mëparshme nuk kishin mbërritur për shkak të luftës në Ukrainë.
Në mesin e atyre dërgesave të mëparshme, në atë kohë u përmend edhe sistemi antidron, Repellent.
Për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera perëndimore. Serbia refuzon t’i respektojë këto sanksione.
Vendimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në pranverë
Gjatë vizitës në Topçider të martën, Vuçiç foli edhe për iniciativën e re për kthimin në fuqi të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Ai tha se ka marrë një “argument bindës” nga përfaqësuesi i ushtrisë se pse është i nevojshëm shërbimi i detyrueshëm ushtarak, por se vendimi për këtë do të dihet pas datës 1 maj.
“Ne do të shohim nëse do të zgjasë (mandati ushtarak) 90 apo 100 ditë, apo ndoshta 110 ditë. Po ashtu edhe kur do të jetë, si do t’i përmbushim supozimet financiare dhe logjistike, por do të flasim”, tha Vuçiç.
Iniciativa për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për katër muaj ka nisur më 4 janar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe.
Siç deklaronte në atë kohë Ministria e Mbrojtjes, kjo është bërë “me qëllim të rritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Serbisë, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të mbushjes dhe stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”.
“Propozimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë vjen pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutrale”, njoftoi Ministria në fillim të vitit.
Kjo nuk është iniciativa e parë e tillë prej se Serbia e hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak 30 vjet më parë./REL