Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja prezantoi të mërkurën para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, projektligjin për dhënien e amnistisë. Ministri Manja deklaroi se nga miratimi i amnistisë do të përfitojnë më shumë se 3200 persona, 700 prej të cilëve në burg dhe pjesa tjetër në shërbim prove.
Manja shtoi se amnistia penale i vjen në ndihmë problemit të mbipopullimit, pasi sipas tij, burgjet janë të mbipopulluara dhe se kanë mbi 190 të paraburgosur më shumë sesa kanë kapacitete.
“Nga ky projektligj do të përfitojnë mbi 700 të burgosur. Kjo amnisti mbështetet në parimin e humanizimit, arritja e qëllimit të rehabilitimit, mundësi për riintegrim më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe gra, por pse jo dhe për zgjidhjen e problemit të mbipopullimit në sistemin penitenciar, duke rritur efikasitetin e këtij sistemi”, tha Manja.
“Të dhënat janë, jo më larg se të ditës së djeshme. Aktualisht në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, ne kemi 5818 personash që mbahen në sistemin penitenciar, 2 204 janë të dënuar, 3150 janë të paraburgosur dhe 458 persona janë me masa mjekësore sigurisht në zbatimit të një vendimi gjykate”, tha Manja.
“Në këto shifra nuk përfshihen personat në shërbim prove, ku janë 11290 persona. Kjo është gjendja dhe situata që kemi sot në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, përfshirë dhe shërbimin e provës. Miratimi i amnistisë pra vjen si një masë e domosdoshme që na krijon mundësi për një menaxhim siç duhet të sistemi, pasi jemi në gjendje mbipopullimi”, tha ai.
“Nga kjo amnisti përfitojnë sipas 700 persona të dënuar dhe 2500 persona në shërbim prove. Edhe amnistia ka kufizimet e veta dhe kategoritë e personave që nuk përfitojnë nga amnistia. Nuk përfitojnë të dënuarit për veprat penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, vrasja, plagosja e rëndë, dhuna në familje e një kategori e veprave penale të terrorizmit. Po ashtu janë përjashtuar ata të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit”, pra ata që janë dënuar nga GJKKO”, tha Manja.
“Pavarësisht kësaj amnistie, do të përfitojnë 1 vit e gjysmë ulje dënimi për të gjitha gratë dhe fëmijët, dhe 1 vit ulje të gjithë burrat. Përfitojnë të gjithë ata që kanë një vendim të Gjykatës brenda datës 30/11/2023”, shprehet Manja.
“Jemi plus 190 të paraburgosur dhe të dënuar më shumë sesa kemi kapacitete. Nëse kemi 818 të paraburgosur dhe të dënuar kapacitetet tona janë plus 190 më shumë. Referuar standardeve të BE, nuk do duhet të kishim këtë numër personash të paraburgosur. 2204 kemi të dënuar dhe po t’u referohemi standardeve të BE do duhet të kishim 30 % si maksimum të numrit të paraburgosurve në raport me të dënuarit. Jemi tek 2500 persona të paraburgosur më shumë sesa standardet e BE. Jemi mbi kapacitetet. Amnistia në këtë moment përveç parimeve të tjera, do na shërbejë edhe ne për të na krijuar një mundësi të sistemit siç duhet”, u shpreh Manja.
“Amnistia është një zgjidhje e përkohshme. Duhet të mendojmë zgjidhje afatgjatë për ta sjellë në standardet që na kërkon BE. Paketën ligjore e kemi në përputhje me standardet e BE, por kur vjen puna tek menaxhimi nuk është i tillë”, nënvizoi ministri.
Sipas Manjës, duhet të ketë forma të tjera të masave të sigurisë apo dënimeve.
“Masat e sigurimit, jo për çdo gjë duhet të shkohet drejt burgut. Masat alternative të dënimit, janë pushtet që e ka drejtësia. Por e thotë kodi që për veprat që dënohen deri në 5 vite, shërbimi i provës mund të jetë një zgjidhje, pra duhen parë dënimet alternative. Kemi një masterplan të cilit akoma s’e kemi kaluar në qeveri, lidhur me strukturat akomoduese se ku duam të shkojmë deri në 2030. Duhet të mbyllim institucionet e komunizmit dhe të ndërtojmë dy-tre struktura të reja”, shpjegoi Manja.
Gjatë punimeve në Komisionin e Ligjeve, deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj kërkoi që kjo amnisti të zgjerojë gamën e përfituesve duke bërë pjesë të saj edhe qytetarët e dënuar apo në ndjekje penale për shkak të pjesëmarrjes në protestat e opozitës të zhvilluara gjatë periudhës kohore 1 tetor 2018 deri në 31 dhjetor 2020.
Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka Ferhati, që është dhe kryetare e Komisionit të Ligjeve, nënvizoi se duhet parë mundësia për zgjerimin e gamës së përfituesve nga amnistia për të dënuarat gra. “Të shohim se si janë të gjitha mundësitë për të parë se si mund ta zgjerojmë përfitimin nga amnistia në radhët e grave”, tha Bushka.