Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja bëri të ditur sot se amnistia penale pritet të diskutohet javën e ardhshme në Komisionin e Ligjeve për t’i kaluar më pas Kuvendit në seancë plenare. Në një prononcim për mediet, Manja u shpreh se se ka qasje pozitive për disa propozime të opozitës.

“Do ta përmbyllim javën që vjen këtë draft në komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancë ku duhen 84 vota. Janë depozituar disa amendamente të cilat do të shqyrtohen në komisionin e Ligjeve javën tjetër dhe më pas në seancë. Për disa propozime që ka bërë opozita kemi qasje pozitive”, tha Manja.

Më herët, ministri Manja ka deklaruar se nga miratimi i amnistisë do të përfitojnë më shumë se 3200 persona, 700 prej të cilëve në burg dhe pjesa tjetër në shërbim prove. Amnistia penale i vjen në ndihmë problemit të mbipopullimit në burgje, ndërsa mbështetet në parimin e humanizimit, në qëllimin e rehabilitimit.