Në emisionin “Studio Live” në Report Tv ka pasur një diskutim mes analistit Mentor Kikia dhe deputetit të Rithemelimit Luan Baçi sa i takon mungesës së alternativës bindëse në opozitë për të fituar besimin e qytetarëve. Kikia argumentoi se shqiptarët nuk mund të votojnë për të njëjtët persona që në 2013-ën u rrëzuan nga pushteti për korrupsion.

“Problemi nuk qëndron tek shqiptarët që nuk mbështesin opozitën por në opozitë mungon alternativa e besueshme. Ndihem i keqardhur që opozita i ofron Berishën si alternativë. Shqiptarët duan alternativë të mirë qeverisëse dhe Berisha s’mund të jetë në mënyrë absolute. Nëse PD do u shkojë qytetarëve me alternativë qeverisëse atë që u rëzua në 2013-ën për të njëjtat akuza për të cilat qytetarët do duhet të votojnë sot kundër qeverisë, atëherë nuk ka për të ardhur në pushtet”- tha Kikia.

Nga ana tjetër, Baçi tha se nuk është e vërtetë se qeveria e Berishës u rrëzua për korrupsion dhe tha se kreu i Rithemelimit është i vetmi që mund t’i sjellë në pushtet.

Baci: Nuk shikoj asnjë nga ish-ministrat e qeverisë së PD të jetë aktiv

Kikia: Është kryeministri, kjo mjafton

Baçi: Ka qenë kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave dhe i pakontestuar për asnjë gjë, flas për 30 vjeçarin e fundit. Nuk jam dakord se në 2013-ën jemi larguar si qeveri e korruptuar. Korrupsioni ka qenë problem në nivele të ulëta.