Biznesi shqiptar i bimëve mjekësore do të marrë pjesë në panairin “BIOFACH 2024”, në Gjermani. Kompania “Albanian Herb” ka mbi 18 vite që specializohet në grumbullimin dhe eksportin e bimëve medicinale dhe aromatike. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se kjo kompani do të jetë pjesë e stendës shqiptare në panairin “BIOFACH2024”, në Gjermani.

“Bimët kryesore që ata mbledhin janë sherbela dhe rigoni, për të cilin kanë një kontribut të veçantë sidomos në zonën e Belshit, ku kanë rritur ndjeshëm sasinë e kultivimit. Në rrjetin e tyre kanë të punësuar mbi 650 fermerë në të gjithë vendin”, tha ministrja Denaj. Kompania eksporton në Turqi, Itali, Greqi, Bullgari dhe në vendet e rajonit.

Në Shqipëri kultivohen mbi 330 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike. Sherbela shqiptare, zë 66% të importeve amerikane, e cila së fundi po eksportohet edhe si produkt përfundimtar (e përpunuar) për industrinë ushqimore në SHBA. Ndërsa 33% e totalit të eksporteve shkon në Gjermani, Francë, Itali dhe vende të tjera deri në Australi. Përveç sherbelës, eksportohet edhe rigon, trumza, dëllinja e zezë dhe esencat e disa lloje bimësh të tjera. Eksporti vjetor i sherbelës drejt SHBA, arrin deri në 5000 tonë, ose rreth 12 milionë dollarë.

Ky sektor punëson mbi 90 mijë punonjës, 10 % e të cilëve janë gjithashtu të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 hektarë.