Deputetja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik Alicia Kearns ka reaguar pasi ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës po i rrisin tensionet. Kearns me anë të një postimi në X, theksoi se SHBA ka heshtur për rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës nga Serbia. Po ashtu ka shtuar se njësoj SHBA-ja nuk ka reaguar për sulmin në Banjskë.

“Ku është balanci? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA pas rrëmbimit të paligjshëm të 3 policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist në Banjska mbetet shurdhuese”, shkroi deputetja britanike.

Ambasadori Hovenier tha se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me dinarin serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe po i rrisin panevojshëm tensione etnike dhe si pasojë ia kufizojnë mundësitë Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare.