Rruga “Myslym Shyri”, e cila është riparuar së fundi nga Bashkia e Tiranës, u shndërrua sot në një zonë pedonale për qytetarët. Me rastin e 104-vjetorit e shpalljes së Tiranës Kryeqytet, bashkia organizoi aktivitete të shumta me muzikë, sport dhe zona argëtimi për të gjitha grupmoshat.Aktiviteteve iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se shumë rrugë të tjera të qytetit do të kthehen në zona pedonale gjatë fundjavës.“Gëzuar 104-vjetorin, ditëlindjen e Tironës sonë, e cila këtë fundjavë mbush 104 vjeç si Kryeqyteti i Shqipërisë dhe i të gjithë shqiptarëve. Makinat janë në funksion të njerëzve, jo njerëzit në funksion të makinave. Ndaj, në qoftë se komuniteti është dakord, ne duam që ta bëjmë më shpesh këtë aktivitet, jo vetëm në këtë rrugë, por edhe në rrugë të tjera. Nëse komuniteti është dakord, ne mund ta bëjmë njëherë në muaj, ndoshta një herë në dy javë, por unë besoj t’i japim qytetit disa hapësira, të oksigjenohemi, t’i pastrohen rrugët. Ne duam që në çdo lagje të identifikohet një rrugë dhe fundjava të jetë pa makina, e mbushur me jetë dhe me gëzimin që sjellin gjithë çunat dhe gocat e Tironës sonë të madhe”, tha Veliaj.Pas riparimit të trotuarëve dhe rrugës, Bashkia e Tiranës synon edhe rehabilitimin e fasadave të pallateve të Rr. “Myslym Shyri”. Veliaj ftoi qytetarët që të aplikojnë për Fondin e Komunitetit për të përfituar ndihmë financiare.“Kur ishim duke bërë punime te “Myslym Shyri”, kishte ende dyqane që jepeshin me qira ose në shitje. Sot janë shitur të gjitha. Sot është rritur vlera e pronës. Ftesa për të gjithë banorët e “Myslym Shyrit” është: Bashkia e bëri punën e saj, por kemi ende fonde që mund të japim për komunitetin, për të rregulluar të gjitha fasadat. Janë të ftuar të gjithë të marrin fondet e bashkisë, që e njëjta cilësi në nivelin horizontal të jetë edhe në nivelin vertikal. Ne jemi shumë krenarë për Tironën tonë”, tha ai.Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky 104-vjetor e gjen Tiranën në ditët e saj më të mira.
“Sot po jetojmë ditët më të mira të Tironës sonë. Sot jemi në momentin tonë më të mirë. Ka ende shumë punë për të bërë, por sot Tirana nuk është e panjohur, jo vetëm për ne, por për këdo që pyet në Europë e njeh, sepse ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, Kryeqyteti Europian i Sporteve, këtë vit drejtojmë të gjitha bashkitë e Ballkanit me Presidencën e B40-ës, kurse vitin tjetër jemi shumë krenarë sepse Tirona jonë do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, deklaroi ai.Duke u ndalur tek investimi në Rr. “Myslym Shyri”, Veliaj deklaroi se infrastruktura e re ka shtuar edhe vlerën e pronës së qytetarëve. “Më vjen mirë që banorët kanë qenë dashamirës dhe mirëkuptues. Më në fund ju them ta gëzoni! Është për qytetin, por kryesisht për lagjen, për të shtuar vlerën e pronës dhe për të rregulluar infrastrukturën”, shtoi më tej ai.Festimet do të vijojnë gjer në orët e vona të mbrëmjes, ndërkohë që për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, hartuan një plan masash duke kufizuar pjesërisht lëvizjen e automjeteve në segmentin e rrugës “Myslym Shyri”.