Për të ndihmuar sipërmarrjet e reja inovatore në Shqipëri, por edhe zhvillimin apo rritjen e mëtejshme të atyre ekzistuese, Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Agjencia e Startup Albania, hapën thirrjen për bizneset që duan të përfitojnë nga grantet prej 300 milionë lekësh të vëna në dispozicion për vitin 2024 nga Qeveria Shqiptare. Duke nisur nga 16 Shkurti, kushdo që ka një ide inovative për zhvillimin e një Start Up-i, mund t’i bashkohet garës për mbështetjen financiare, e cila do të zhvillohet në tre faza.

Në eventin që shënoi shpalljen e thirrjes, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, tha se përmes këtyre granteve synohet mbështetja nga 55 deri në 75 start up-eve në vlerë deri në 9 mln lekë. Sipas saj, kjo është thirrja e dytë që Qeveria Shqiptare ka bërë për mbështetjen e start up-eve.

“Ne synojmë që ta mbështesim sipërmarrjen në tre kategori të jetës së tyre. Së pari, do të mbështesim idetë, të cilat kryesisht presim të vijnë nga studentët, të rinjtë, që kanë menduar të zhvillojnë një biznes, por ende nuk kanë një kompani të regjistruar. Këto ide do të mbështeten deri në vlerën e 1.5 milionë lekëve. Në kategorinë e dytë do të mbështesim ato sipërmarrje, të cilat janë aktive dhe përmes financimit nga grantet e Qeverisë duan ta zhvillojnë dhe komercializojnë atë. Për këtë kategori mbështetja do të jetë 4.5 milionë lekë. Do të kemi edhe një kategori të tretë, me anë të së cilës synojmë të tërheqim sipërmarrjet që i kanë të zhvilluara prototipet, por kanë nevojë për financim për të rritur linjën e prodhimit dhe ndërkombëtarizuar prototipin e tyre. Kjo kategori do të mbështetet deri në 9 milionë lekë”, sqaroi ajo.

Ministrja Ibrahimi dha lajmin se ditën e hënë prezantohet Strategjia për Sipërmarrjet Inovative, për të cilën Agjencia StartUp Albania ka disa muaj që punon. Kjo strategji do të ndihmojë edhe në ristrukturimin e ekosistemit të start up-eve.

“Strategjia prek tre shtylla kryesore: sipërmarrjen inovative, zhvillimin e sektorëve dhe gjithëpërfshirjen. Qeveria shqiptare po punon edhe për një strategji të sipërmarrjeve të specializuara, megjithatë faza e identifikimit të sektorëve që kanë nevojë për inovacion tashmë ka mbaruar dhe janë pikërisht këto sektorë që synohen të mbështeten, jo vetëm nëpërmjet fondeve që do të japë herë pas here qeveria, por edhe përmes instrumenteve të tjera që do të ndërtojmë, me qëllim që inovacioni të shkojë aty ku ka më shumë nevojë”, tha ajo.

Ibrahimi nënvizoi se për këtë qëllim do të punohet për më shumë ndërveprim mes start up-eve dhe të rinjve.

“Ne jemi të përkushtuar të krijojmë të gjitha kushtet e nevojshme që rinia shqiptare t’i shfrytëzojë mundësitë dhe potencialin që ka. Ne nuk mund ta zhvillojmë këtë ekosistem vetëm në Tiranë, ku sigurisht potencialet dhe mundësitë janë më të mëdha, por duam ta nxisim edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, shtoi ajo.

Drejtori i Agjencisë Startup Albania, Arian Ymeri, u fokusua te prezantimi konkret i shpalljes së thirrjes për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja dhe ekzistuese. Ai tha se së shpejti nis fushata e komunikimit në rrethet e Shqipërisë, për të ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e garës.

“Ne do të konsultohemi çdo ditë fizikisht dhe virtualisht, ndaj kemi përgatitur një program shumë ambicioz për të dalë edhe jashtë Tiranës, në universitete, për të komunikuar dhe shpjeguar sa më shumë, në mënyrë që aplikimet tuaja të jenë sa më cilësore. Duam që ky fond të shpenzohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe procesi të jetë sa më transparent”, u shpreh Ymeri.

Tre fazat e mbështetjes financiare për start up-et janë:

Faza e parë, ku mund të sigurohet financim deri në 1.5 milionë lekë për ide inovatore, që do të zhvillohen që në hapat fillestarë.

Faza e dytë, ku mund të sigurohet financim deri në 4.5 milionë lekë për zhvillimin e mëtejshëm të bizneseve, që kanë minimalisht 1 vit që operojnë në treg, që kanë dorëzuar një pasqyrë financiare dhe kanë krijuar një prototip, i cili është i tregtueshëm e që duhet zhvilluar më tej.

Faza e tretë, ku mund të sigurohet financim deri në 9 milionë lekë. Në këtë fazë mund të aplikojnë bizneset që, tashmë e kanë një produkt ose shërbim të zhvilluar, i cili është i tregtueshëm, por ka ende nevojë për financim për t’u rritur dhe ndërkombëtarizuar.

Të gjitha aplikimet do të kryhen përmes portalit “e-Albania” brenda një afati 30 ditor. Përmes kësaj thirrjeje, Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Agjencia e Startup Albania synojnë mbështetjen financiare deri në 75 projektet më të mira, me qëllim ndërlidhjen e ideve inovatore për zhvillimin e bizneseve ekzistuese, veçanërisht në sektorët prioritar të Qeverisë.

DOKUMENTACIONI I KËRKUAR PËR STARTUP-ET:

Startup-et që aplikojnë për mbështetje financiare nga ky grant, duhet të logojnë gjatë aplikimit, dokumentacionin sipas listës së mëposhtme:

– Formularin e aplikimit të plotësuar;

– Formatin e buxhetit të plotësuar;

– Prezantimin në formatin e ofruar

– Pasqyrat financiare për dy vitet e kaluara të biznesit, nëse është e aplikueshme.

Gjithashtu, aplikantët duhet të kalojnë procesin administrativ të kualifikimit, i cili do të zbatohet nga sekretariati teknik i ngritur pranë Agjencisë Startup Albania. Gjatë këtij procesi do të verifikohen:

– Pasaporta e Startupit (jo më e vjetër se dy vjet në momentin e aplikimit)

– Dokumenti i regjistrimit në organin tatimor (NIPT) në rastin e personave fizikë ose juridikë të regjistruar në regjistrin tregtar;

– Bilanci i vitit paraardhës për aplikuesin person fizik ose juridik të regjistruar mbi 1 vit në regjistrin tregtar;

– Vërtetim për pagim detyrimesh;

– Dëshmi penaliteti e aplikuesit (e lëshuar gjate muajit të hapjes së thirrjes).