Intervistoi Ben Andoni
Intervistë me Ambasadorin Zef Mazi, ish Kryenegociator për Integrimin e Shqipërisë në BE. Në këtë intervistë, njohësi i mirë i ngjarjeve dhe konjukturave ndërkombëtare e shpjegon skakierën e sotme politike dhe rreshtimin e forcave; pozicionin e Shqipërisë; ecurinë e Luftës në Ukrainë dhe mbi të gjitha superfuqitë e reja, si edhe ngritjen e një sërë vendesh, që kërkojnë zërin e tyre; pse po falet Serbia nga komuniteti ndërkombëtar prej Bajnskës; çfarë do sjellin ndryshimet e Brukselit; çfarë mund të sjellë shtrirja e luftës në Lindjen e Mesme dhe shumë çështje të tjera. Një botë unipolare apo multipolare?! Ku do ta gjejë veten Shqipëria dhe si duhet ta ndërtojë politikën e saj të jashtme?! Ecuria e “Ballkan Open” dhe jo vetëm, shtjellohen në formë shumë interesante. “Më bëri përshtypje negative mospjesëmarrja as edhe e një komisioneri të vetëm në këtë ‘Samit’. Niveli më i lartë ishte një drejtor drejtorie zgjerimi në Komision, i ardhur për të folur me presidentë dhe kryeministra të Ballkanit! Kjo flet për rëndësinë që i jepet Ballkanit, flet për ulje të ndjeshme të nivelit, deri fyerje protokollare. Protokolli është vetëm politikë mbështjellë me fjalën ‘protokoll’. Kështu duhet lexuar, kështu është. Element pozitiv është që drejtuesit e Ballkanit takohen dhe bisedojnë”, citohet ambasadori Mazi.

I nderuar Ambasador, shumë zhvillime po duken se kanë forma opake. Para se të pyesim për çështjet tona, apo afër dhe rreth nesh, dëshirojmë t’ju pyesim më gjerë për zhvillimet në politikën aktuale globale. Si i shikoni ju, se shumë po flitet për Rend Global modern për unipolaritetin kundrejt multipolaritetit? Davosi nuk solli ndonjë zhvillim të ri këtë vit, përveç fjalës së përfaqësuesit amerikan, këshilltarit Sullivan.

“Sa mund të thuhet në kuadrin e një interviste e bën disi të vështirë të japësh përgjigje të plotë analitike, të sintetizuar. Po përpiqem, pa anuar dhe pa mbështetur aspak njërin apo tjetrin krah, si e shoh unë me mendje të ftohtë.

Epoka unilaterale sot përfaqësohet nga një numër i vogël qeverish perëndimore. Ky është fakt. Ajo epokë i ka fillimet qysh në vitet 1990-91: Lufta e Ftohtë mbaroi, u fitua, unë tani eci besimplotë se “jam i vetëm si superfuqi, jam hegjemon, mund të vendos çdo gjë, të imponoj çdo gjë, kudo, kurdo“. Kjo mendësi erdhi duke u përforcuar derisa arriti në veprime të keqllogaritura, të keqdrejtuara. Pasojat po shfaqen frikshëm, paralelisht, në disa rajone të globit dhe në të njëjtën kohë.

Një nga objektivat kryesore të Perëndimit, vitet e fundit, ka qenë krijimi dhe futja e përçarjes midis përkrahësve dhe promovuesve kryesore të Rendit Botëror Multipolar, kryesisht Kinës dhe Rusisë dhe, vendeve të Jugut të Botës (Global South). Këto vende janë përfshirë intensivisht, në një mënyrë a një tjetër, në procesin e rendit të ri, modern, botëror.

Dy shembuj për ilustrim: Disa media Perëndimore, kryesisht ato franceze, ngritën alarmin se Rusia dhe Kina mund të nisin të plotësojnë njëra-tjetrën në kontinentin afrikan. (Një numër vendesh afrikane janë ish-koloni franceze, ose “koloni moderne“ të saj.) Në fillim u besua se interesat e Kinës dhe Rusisë do përplaseshin, ndoshta ato mund të ktheheshin deri në sebep lufte midis tyre. Kjo nuk ndodhi. Përkundrazi. Ato po e plotësojnë njëra-tjetrën. Kuptoj se kjo është pjesë e koordinimit të tyre strategjik mbi bazë marrëveshjesh, midis tyre dhe me një numër rajonesh, përfshirë në Afrikë.

Në ato sektorë, ku Kina është në pozitë më të fortë, si në projekte infrastrukturore, etj., vepron Kina. Në sektorët ku Rusia është në pozitë më të favorshme, vepron ajo. Nuk ka gjë për t’u habitur për këtë. Me kalimin e kohës, do jetë normale të ketë edhe konkurrencë më aktive ndërmjet kompanive kineze dhe ruse. Vijim i koordinimit midis tyre do të forcojë pozitat e Kinës dhe të Rusisë.

Elitat e Perëndimit kolektiv po bëjnë përpjekje për t’a zhvendosur Kinën si partnerin më të rëndësishëm tregtar dhe ekonomik në Afrikë, edhe në Evropë. Thirrjet për t‘i ulur, ose ndërprerë, ndërveprimet me Kinën, përfshirë fushatën propagandistike anti-Kinë, duket se kanë dështuar, ndërkohë që kanë forcuar marrëdhëniet strategjike Kinë-Afrikë.

E njëjta, pak a shumë, mund të thuhet edhe për marrëdhëniet e Rusisë me Afrikën dhe Jugun e Botës. Këtu bën përjashtim koha e aktivizimit rus në Afrikë. Ajo filloi pak vite më parë. Ky aktivizim ndryshon nga ai i Kinës, që pat nisur qysh në vitin 2000. Në ato fillime, pak kush besoi në kthimin me sukses të Rusisë në Afrikë. Disa në Perëndim ishin mësuar të diktonin kushtet dhe rregullat e lojës në Afrikë. Nuk vonoi dhe Rusia nënshkroi një numër partneritetesh me vende afrikane.

Sot një numër vendesh afrikane e shohin Rusinë si partner të besueshëm në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe, në një numër fushash të tjera, si energjia, ushqimi, bujqësia, arsimi. Pika më e rëndësishme është se partneriteti afro-rus gëzon mbështetjen e popujve në Afrikë. Nuk është lehtë, as bindëse, të ngrihesh kundër fakteve.

Ka filluar të kuptohet rreziku që sjell “infleksioni i bashkëpunimit“ të suksesshëm. Ndaj bëhen përpjekje, me çdo mjet, për ta ngadalësuar procesin, përfshirë presionin politik ndaj shteteve afrikane dhe fushatave informative mediatike. As kjo nuk duket të ketë sukses”.

Ka përpjekje prej disa kohësh për të karakterizuar Kinën dhe Rusinë si armike. Individë nga Shqipëria e vockël organizojnë edhe mbledhje, seminare, me temë armiqësia e tyre ndaj Ballkanit, etj. Jeni në dijeni?

“Po e ndaj përgjigjen në dy pjesë. Kina nuk është armik i Perëndimit. Si e shoh unë, ajo është kundërshtare e idesë hegjemoniste të SHBA. Nuk duhet harruar se Kina është unifikuar si shtet në vitin 221 BC, nën kontrollin e Qing, mbi dy mijë vjet më parë, kur Jing Zheng u vetëdeklarua “Qing Shih Huang“ (Perandori i Parë i Qin), duke vendosur dinastinë Qing. Ai u bë sundimtari i parë sovran i Kinës të unifikuar. Bëhet fjalë për një popull dhe vend me trashëgimi historike-kulturore disa mijëra vjeçare. Ndërsa në Perëndim dëgjohet t‘i thuhet Kinës – Bëj kështu, Bëj ashtu – të mësohet Kina sesi të mendojë, si të jetojë, si t’i rregullojë e drejtojë punët e saj, etj.!

A mundet Kina të jetë kërcënim për SHBA-në, kur kjo e fundit e ka rrethuar Kinën me baza ushtarake?! Ajo po bëhet dhe do jetë sfiduese, konkurrentja kryesore. Kina shihet dhe karakterizohet si armike vetëm për shkak të suksesit të saj ekonomik dhe të dimensionit të saj. Vetëm Kina dhe India kanë afro 40 përqind të popullsisë të botës. Perëndimi përbën afro 10 për qind të popullsisë të botës. Ai nuk mundet më tej të vendosë dhe të dominoje 8 miliard njerëz! As të predikojë “rendin e bazuar në rregulla”, një hipokrizi, se ky “rend” nuk ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare. Cilat rregulla, ku u diskutuan, cilët shtete morën pjesë, si u morën vendimet për to, në cilat organizata, etj.? Kohët kanë ndryshuar.

Tregtia e Kinës me Evropën ka qenë shumë produktive për vite me radhë. Firmat amerikane dhe evropiane kanë shkuar në Kinë, jo anasjelltas. Është bërë biznes, është zhvilluar turizmi, janë zhvilluar marrëdhënie të mira dhe shkëmbime në një numër fushash. Këto janë rritur nga viti në vit. U ndërhy, iu tha Evropës të ndahet nga Kina, një kryeministreje iu tha të heqë dorë nga Iniciativë e Rrugës dhe Rripit (Road and Belt Initiative), etj.! Cilat vende po dëmtohen më shumë, kjo ia vlen të shihet dhe ndiqet hap pas hapi”.

A e shihni se ky komplementaritet do ketë sukses në zhvillimet e turbullta sot? Apo disi, ndoshta edhe jo sukses?

“ Komplementariteti midis forcave më të rëndësishme të botës shumëpolare nuk duket vetëm në Afrikë. E mora si shembull. Ai shihet edhe në Lindjen e Mesme. Dje dhe sot, kur është rreziku më i madh i mundshëm për një luftë të gjerë rajonale, ndoshta edhe disi botërore. Janë shumë elementë në këtë ekuacion.

Jo shumë kohë më parë, SHBA dhe Izraeli ishin në prag të formimit të një koalicioni real arab, anti-iranian, në rajon. Ajo do kishte qenë grusht i fortë ndaj Kinës dhe Rusisë, se ato dy shtete janë të lidhura ngushtë si me Iranin, ashtu edhe me vendet arabe të rajonit. Në këtë skenar, do ishte problematike ruajtja e ekuilibrit të interesave.

Shiheni me kujdes: dueti Moskë-Pekin ka bërë disa shfaqe interesante; ka ruajtur dhe forcuar bashkëpunimin strategjik me Iranin, si partner kyç për të promovuar Rendin Botëror Shumëpolar; ka vendosur marrëdhënie pozitive me vende që, deri në të kaluarën e afërt, kanë qenë rivale rajonale të Iranit.

Një shembull tjetër: diplomacia kineze arriti pajtimin midis Iranit dhe Arabisë Saudite. Kjo nuk mund të mos ishte shokuese për Uashingtonin dhe disa qeveri të perëndimit, ashtu edhe për Tel Avivin. U çmontuan tërë përpjekjet e Perëndimit dhe Izraelit ndër vite. Ajo solli edhe konsolidimin e pozitave ekonomike të Kinës në rajon.

Zhvillimet kanë shkuar më larg sa, një numër vendesh në rajon që, deri dje, konsideroheshin si aleate të Uashingtonit, gjithnjë e më shumë janë përfshirë në procesin e de-dollarizimit të marrëdhënieve ekonomike botërore. Plus, vihet re një koordinim aktiv, i madh dhe i ngushtë, ndërmjet Riadit dhe Moskës, ashtu dhe me vendet e tjera të OPEC-ut, lidhur me tregun global të naftës. Si qershia mbi tortë, erdhi futja e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Iranit në BRICS duke filluar nga 1 janari 2024.

Dikur mund të qeshej po të flitej se mund të kishte zhvillime të tilla. Sot ato janë realitet. Nuk mund të qeshet më në mënyrat tradicionale. Rendi Botëror Unipolar duket se i takon të kaluarës. Në Lindjen e Mesme, në Amerikën Latine, në Afrikë, në Jugun e Globit, Kina dhe Rusia perceptohen si partnere të besueshme, ku mund të mbështetesh në rast nevoje dhe në afatgjatë. Ky trend duket se do forcohet. Si e shoh, ky është thelbi i komplementaritetit strategjik”.

Rusia bën punë armiqësore destabilizuese në Ballkan. Kjo flitet shpesh. Prania apo synimet ruse në Ballkan nuk janë risi, që po ndodhin tani dhe nuk kanë ndodhur më parë. Si e shihni ju?

“Ballkani gjithmonë ka qenë gadishull ku janë ‘përplasur qytetërimet’. Sipas Huntington-it, ‘qytetërim është një entitet kulturor’, një i tillë është ai sllavo-ortodoks. Qytetërimet ndryshojnë nga njëri-tjetri nga historia, gjuha, kultura, traditat dhe, mbi të gjitha, nga feja. Sipas Huntington-it ‘çdo qytetërim kishte dhe ka një shtet kryesor, qendror, si mbrojtës’. Historikisht Rusia ka qenë mbrojtësi i qytetërimit sllavo-ortodoks. Gadishulli i Ballkanit dhe rajoni i Evropës Jug-lindore janë zona ku, historikisht është përqendruar politika e jashtme e Rusisë. Ajo ka qene zona e influencave kulturore dhe e përçapjeve të Rusisë për të përhapur solidaritetin sllavo-orthodoks. Konstante e jetës publike ruse, që vazhdon edhe sot. Ky është fakt, jo risi, jam dakord me ju, dhe nuk duhet të habisë kënd.

Pasi humbi Luftën e Madhe të Krimesë në vitet 1853-1856, u shtuan influencat kulturore ruse në rajonin e Evropës Jug-lindore, së pari, për të mposhtur rivalitetin (romako-katolik) të Habsburgëve; së dyti, për të përhapur idenë e pan-sllavizmit në atë pjesë të Evropës. Në thelb, Lufta e Madhe e Krimesë, mund të thuhet se ishte luftë britanike kundër Rusisë për të arritur t’i vinte ‘stop’ fitoreve të tjera të mundshme të Rusisë ndaj Perandorisë Osmane.

Pas asaj lufte, për Rusinë u bë e qartë se armiqtë e saj ishin Fuqitë e Mëdha të Evropës Perëndimore, veçanërisht Mbretëria e Bashkuar. Marrëveshja e fundit politiko-ushtarake midis Rusisë dhe Mbretërisë të Bashkuar u nënshkrua në vitin 1907, vetëm pasi ata arritën të ndanin sferat e influencës në Persi (Irani sot). (Konventa ruso-britanike e vitit 1907 mbi Persinë e ndau atë në seksionin verior, nën influencën ruse, në pjesën neutrale në qendër, dhe në seksionin jugor, nën influencën britanike.) Zor të thuhet sot sa vite të tjera do të duhen para se të mund të shohë përsëri dritë një marrëveshje tjetër e asaj natyre midis këtyre dy vendeve!

Rritja e ndjenjave pan-sllave mbi bazën e origjinës sllave, të gjuhës të përbashkët paleosllave, e ngulitur veçanërisht tek ndjenja emocionale e çlirimit të popujve sllavë të jugut nga zgjedha otomane, u nxit deri në ekzagjerim në Rusi. Ajo erdhi si pasojë e rivalitetit politiko-ekonomik ndërmjet Rusisë nga njëra anë dhe, Monarkisë të Habsburgëve dhe Perandorisë gjermane, nga ana tjetër.

Tre kanë qenë interesat thelbësore ruse në gadishullin e Ballkanit dhe Evropën jug-lindore: 1) strategjike, 2) kulturore, 3) fetare.

Nga pikëpamja strategjike, diplomacia ruse gjithmonë e ka konsideruar Ballkanin dhe Evropën Jug-lindore si rajone të domosdoshme, jetike, për sigurinë e shtetit rus dhe, mbi të gjitha, për stabilitetin e kufijve të shtetit rus. Nuk është i panjohur synimi rus për të pasur kufi me leverdi në Besarabi (sot Republika e Moldavisë), si dhe për të ushtruar kontroll mbi ngushticat e Bosfor-it dhe Dardanele-ve. Këto ngushtica morën rëndësi të madhe për zhvillimin tregtar, ekonomik dhe për projektet gjeopolitike të Rusisë, veçanërisht për transportin e mbiprodhimit të grurit nga Ukraina e sotme, ose nga Rusia e Vogël, siç njihej atëherë drejt tregjeve botërore.

Pasuan zhvillime të tjera. Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915 iu çorr maska nga Franz Jozefi (i Austrisë), i cili e bëri publike, po atë vit, duke e botuar në Gazetën ‘Ëiener Zeitung’ në 15 dhe 23 maj 1915. Ai plan parashihte ndarjen e Shqipërisë në tre pjesë. Serbisë iu premtuan koncensione territoriale në ato zona të Ballkanit Perëndimor të populluar nga serbët etnikë që jetonin në Monarkinë Dyshe (në Bosnjë- Hercegovine, Sllavoni dhe Dalmacinë e Jugut).

Rusët i bënë premtime të mëdha Serbisë. Serbia nuk i mori parasysh premtimet dhe propozimet ruse dhe, si pasojë, humbi 25 % të popullsisë të saj gjatë Luftës të Parë Botërore, humbi 50 % të industrisë dhe, më e rëndësishmja, humbi shtetësinë e saj: u krijua një Jugosllavi anti-serbe, pa lidhje të forta dhe, në fakt, siç do të dilte më vonë, shkatërruese, me kroatë dhe sllovenë katolikë. Këta të fundit shiheshin nga serbët dhe rusët si ‘kolona e pestë’ e Vatikanit, pa qenë nevoja të përmendim dhe të shtojmë kombësinë shqiptare dhe trojet e saj në Ballkan. Asgjë të re në synime”.

“Ballkani i Hapur” duket se u rikthye, veçse deklarata e Samitit të Shkupit gati u prish nga Serbia, pa mbushur as 24 orë. Procesi i Berlinit sikur ofron, deri diku, zgjidhjen e problemeve dypalëshe, rritje të sigurisë në rajon dhe i hap udhë bashkëpunimit ekonomik rajonal. Samiti i Shkupit tentoi t’u vërë kapak mosmarrëveshjeve etnike, kufitare dhe politike, dhe të injorojë pasigurinë dhe tensionet? A mundet që lidhja ekonomike t’i shërbejë paqes? A patë element pozitiv të këtij Samiti në mungesë të protagonistëve evropianë?

“’Ballkani i Hapur’ ishte dhe është një ide disi akrobatike, e paqartë, pavarësisht retorikes propagandistike, politike, apo ndonjë hapi pozitiv. U reklamua, u lartësua si të qe çelësi i zgjidhjes të një numër problemesh të bartura, jo të lehta, të papajtueshmërive serioze, që ende rëndojnë në kurrizin e Ballkanit.

U morën disa iniciativa që, fillimisht, nisën me zhurmë, me fjalë të mëdha. Pak më vonë u tha, si pa të keq se: ishte gabim, nisma ka mbaruar por, papritur, ajo ringjallet, për t’i hapur rrugën dorëheqjes të një kryeministri të një vendi pjesëtar. Kjo dëshmon joseriozitet, jo mirë-peshim, analizë të vakët, ose të munguar, para se të hidhej në treg dhe të nisnin veprimtari.

Ai nuk mund të kishte suksesin që reklamohej në Ballkan. Pesëdhjetë për qind e vendeve ballkanike nuk e përqafojnë, pavarësisht se mund t’i japin përgjigje pozitive ndonjë ftese. Kosova, interes jetik për Shqipërinë, nuk e sheh me vend atë nismë, se ajo bart probleme të ndjeshme politike. Për çdo veprim, që përfshin dhe ka të bëjë edhe me Kosovën, është e domosdoshme që Shqipëria të konsultohet, të koordinohet ngushtë me Kosovën, dhe jo të marrë vendime se ‘kështu dua unë’, të bëjë sarkazëm, presion, dhe të tentojë të diktojë si ‘lider’.

Nëse diçka është ndihmuese, ajo duhet bërë. Janë ndërmarrë tre-katër hapa teknike. Ato ndihmojnë, me apo pa “Ballkan të Hapur”. Ato nuk janë, nuk duhen etiketuar se janë domosdoshmërish në kuadër të asaj nisme, për origjinën dhe synimin e të cilës ka pikëpyetje.

Procesi i Berlinit është krejt ndryshe, është serioz, ka vëmendjen dhe angazhimin, në nivel të lartë politik, të një shteti të madh, të fortë. Ai ka përmbajtje, ide dhe projekte konkrete ekonomike infrastrukturore, që ndihmojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal. Nuk është as lehtësuese, as të shërben, të krahasohet ai Proces me ‘Ballkanin e Hapur’ dhe, as të thuhet se ky i fundit është për ta ndihmuar atë. Procesi i Berlinit nuk ka nevojë dhe s’ka kërkuar ndihmë.

Lidhur me Serbinë, ajo ngaherë ka luajtur si ‘macja me miun’. Këtë bën edhe me këtë nismë, e ka fasadë, se po bashkëpunoj, ajo ka strategji dhe zbaton taktika të mirë-menduara para takimeve. Nuk habitem me qëndrimet e saj. Nuk di nëse pala jonë kishte bërë llogaritë më parë çfarë të bënte, çfarë të thoshte nëse do ndodhte kjo, ose ajo. Asgjë nuk i lihen spontanitetit, reagimit të çastit!

Më bëri përshtypje negative mospjesëmarrja as edhe e një komisioneri të vetëm në këtë ‘Samit’. Niveli më i lartë ishte një drejtor drejtorie zgjerimi në Komision, i ardhur për të folur me presidentë dhe kryeministra të Ballkanit! Kjo flet për rëndësinë që i jepet Ballkanit, flet për ulje të ndjeshme të nivelit, deri fyerje protokollare. Protokolli është vetëm politikë mbështjellë me fjalën ‘protokoll’. Kështu duhet lexuar, kështu është. Element pozitiv është që drejtuesit e Ballkanit takohen dhe bisedojnë”.

Pse mohohen, ose më mirë, anashkalohen problemet e krijuara nga Serbia?

“Është e vërtetë se problemet e krijuara nga Serbia, për mbi një shekull, e që vijojnë, ndonëse në dukje disi të fashitura, të maskuara pas një fytyre gjoja demokratike presidenciale, anashkalohen dhe mohohen. Vijojnë politikat, dashuritë dhe interesat e vjetra të ndonjë evropiani, apo dy.

Analizat, nëse bëhen, kanë gabime dhe mangësi të theksuara. Jepen orientime, mbahen qëndrime mbi bazën e hamendësimit, pa strategji të qartë, pa u thelluar, duke moskuptuar nevojën e analizës të krejt paketës. Është dëshpëruese të harrohet se politikat e paqtimit, të ledhatimit të egos, të ‘fantazisë’, se duke e marrë me të mirë, duke mos e kritikuar Serbinë për veprimet e saj të rënda, përfshirë ato ushtarake, do e afrojnë me BE-në dhe Perëndimin dhe do e largojnë nga Rusia. Kjo është ‘fantashkencë’, flet për mosnjohje të historisë dhe të rrjedhës mbi 100-vjeçare të zullumeve në këtë rajon. Vijojnë keqkalkulimet, keqorientimet.

Situata dhe zhvillime të ngjashme, deri në lajthitje logjike, çuan në kasaphanën që gatoi Milloshevici dhe ministrat e tij, në luftërat e përgjakshme të viteve 1992-’95, që shuan një çerek milioni jetë njerëzish. Ndjekja qorrazi, deri në ekstrem, vetëm ideologjikisht, e interesave dhe synimeve gjeopolitike, të vjetra e të reja, shihet ku po e çon botën”.

A prisni të ketë zhvillime pas zgjedhjeve në arkitekturën politike të Brukselit?

“Ethet e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian në fillim të qershorit të këtij viti kanë filluar që nga fundi i vitit të kaluar. Ato kanë zënë vendet, makineritë drejtuese, pasi të gjithë mendojnë, bëjnë plane si të zgjidhen ose të rizgjidhen. Këshilli dhe Komisioni kanë mbi tryeze një numër çështjesh të politikave ekonomike, të shtetit të së drejtës, të politikave bujqësore, të aspekteve buxhetore, të pikave të nxehta që lidhen me Traktatet themelore të BE-së, etj. Nuk arrihet të gjendet rruga më e mirë për t’i adresuar dhe zgjidhur.

Fërkimet ndërmjet shteteve janë rritur. Këndvështrimet dhe interesat e vendeve janë të ndryshme, deri kundërshtuese. Solidariteti bëhet më i vështirë. Dukshëm ka deficit kohezioni dhe demokracie. Një pjesë e vendeve përkulen ndaj presioneve, një numër i vogël kundërshtojnë, flasin hapur, prandaj dhe cilësohen si ‘rrezik’. Kjo ndodh thjesht se ata kanë përparësi interesat e vendit dhe të popullit të tyre, të atyre që i kanë zgjedhur dhe, nuk bëjnë temena.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve, mendoj se do ketë ndryshime në përbërjen e parlamentit dhe në arkitekturën e komisionit. Kanë ndryshuar qeveri, do ndryshojnë dhe të tjera. Është në varësi të kryeministrave se cilin do caktojnë komisioner për cilin portofol. Kjo nuk do të thotë se propozimet do merren automatikisht parasysh në linjën që bëhen. Shumëçka do negociohet, ashtu si do bëhet ‘Pazar’ për postet e Presidentit të Komisionit dhe atë të Këshillit.

Besoj mund të jeni në dijeni të lëvizjes të zgjuar të Presidentit aktual të Këshillit, Charles Michel. Në mes të janarit 2024, Michel deklaroi publikisht se do të kandidojë për post euro parlamentar nga Belgjika. Me këtë lëvizje, ai i dogji letrat një plani të mundshëm për t’i ofruar post tjetër drejtues të lartë, pas zgjedhjeve. Por, pas zgjedhjeve mund ta linin pa asgjë! Ai ua dogji kartat me deklaratën e faktit të kryer”.

Mendoni se është kaq problematik rikthimi i z. Trump në skenën politike amerikane?

“Pak rëndësi ka se çfarë mendoj unë, apo kryeministri ynë i cili, dikur para zgjedhjes të Trampit, e pat anatemuar “live” në CNN. Rëndësi ka se çfarë mendon populli amerikan, zgjedhësit amerikanë. Jam disi i befasuar me nivelin e manipulimeve politike, me koordinimin negativ ndërkombëtar ndërmjet administratave aktuale, me fushatën mediatike, për ta anatemuar Trampin si rreziku më i madh për këtë apo atë vend, për botën, për marrëdhëniet ndërkombëtare, etj. Veçanërisht, nga vendi ynë, aq i vogël, më pak se gjysma e Manhatanit, duhet bërë tepër kujdes kur jepen mendime!

Është e nevojshme të bëhet analizë, me qetësi dhe kujdes e të kaluarës katërvjeçare të tij – çfarë është bërë, mirë apo jo mirë, çfarë nuk është bërë, çfarë po bëhet sot, çfarë po thuhet, pa shkëputur fjali gjysmake nga konteksti, për të dhënë mendim, gjykim. Duhet analizuar krejt paketa presidenciale. Nëse populli amerikan do zgjedhë Trampin, dhe ka shumë të ngjarë, nuk di se çfarë do thonë ata drejtues qeverish (si Trudo i Kanadasë), që e anatemojnë në ekstrem. Jemi shumë larg, jemi tepër të vegjël, duhet te tregohet modesti e madhe”.

Armatosja e Serbisë, tollovia e Federatës së Bosnjës, blerja e armëve nga Kosova, dhe angazhimi i Shqipërisë për të shkuar në shpenzimet ushtarake në 2% të GDP, duket se reflektojnë atë që lidhet me një kërcënim. A është e vërtetë narrativa e përsëritur për një luftë?

“Çfarë është thënë dhe bërë në të kaluarën njihet; çfarë po bëhet sot, po ashtu shihet, mund të analizohet dhe, të merren masa. Çka nuk dihet dhe nuk mund të thuhet me siguri, është ajo çfarë kanë në kokë drejtues shteti, qeverie, disa drejtues të politikës dhe institucioneve. Ajo vetëm mund të hamendësohet. Mbi atë bazë mund të bëhen plane skenarësh A, B, C, etj.

Narrativa e përsëritur për luftë, më shumë, ka të bëjë me ngjalljen e frikës, me paralajmërim, përgatitje, me dhënie sinjali ndaj kujtdo që mund ta mendojë, që duhet ta heqë nga koka. Janë bërë disa herë luftëra në rajonin tonë. Është parë qartë se cilët kanë qenë humbësit dhe fituesit. Rajoni ynë, me dy përjashtime, është territor i NATO-s. Ai nuk mund të bartë e të ketë luftëra të tjera, pavarësisht tensioneve që mund të krijohen, që janë dhe do jenë të menaxhueshëm. Të kesh oreks për luftë tjetër në Ballkan do të thotë të kesh problem me ‘motorët logjikë!’”

Si e shikoni Shqipërinë në gjithë këtë qerthull të ri të zhvillimeve ndërkombëtare?

“Përsëris, Shqipëria është tepër e vogël për të pasur ndikim, modeste tej rajonit tonë. Përtej tij, është e vështirë të luajë ndonjë rol të ndjeshëm. Duket se kjo ende nuk është kuptuar mirë. Shihen jo rrallë, për rrjedhojë, akrobaci politike, sikur vendi të ishte disa herë më i madh se ç’është në të vërtetë! Një vend është aq i fortë sa të madhe e ka popullsinë, sa e ka forcë ekonomike, sa ka fuqi ushtarake për të luajtur rol. Këto të gjitha shkojnë paralel, të marra së bashku. Të jesh anëtar në një organizatë, përfshirë ushtarake, nuk do të thotë më shumë se të kesh barazinë e të ulurit në të njëjtën tryezë, ku dëgjohen e merren vendime, teorikisht bashkërisht. Konkretisht, të bashkohesh me vendimin e të mëdhenjve! Pra, vendi ynë është mirë të luajë aq rol sa e ka forcën, as më pak, as të pretendojë më shumë, por parësisht të jetë modest dhe pa fjalë të mëdha! Këtë rol ta luajë duke analizuar thellë zhvillimet ndërkombëtare, paketën e zhvillimeve, sepse gjërat janë të lidhura, dhe të përcaktojë pozicionin e tij. Asgjë nuk lind, nuk zhvillohet në vakum”.

A ka rrugë që të shmangë veton e vazhdueshme greke për integrimet shqiptare?

“Kjo lidhet me akrobacitë që përmenda më lart, me vetësigurinë, se ia hedh, e kaloj, me bërjen gabim të hesapeve, me një lloj ‘megalomanie të të voglit’, që Cvajgu e ka pasë karakterizuar ‘të rrezikshme’.

Afera ‘Bejleri’ ka qenë dhe është çështje e drejtësisë. ‘Kur flet drejtësia, hesht politika’. Kjo aksiomë zbatohet kudo me përjashtim të Greqisë. Ajo po keqpërdor anëtarësimin e saj në BE për të arritur synime politike, deri në afatgjata, apo cenime territoriale. BE-ia ka përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, që nuk ka forcë të bindë një anëtar të saj se e ka gabim dhe duhet të heqë dorë. Ajo është një çështje dypalëshe. Çështjet dypalëshe nuk duhet të sillen në tryezën e 27-shes, për këtë BE-ia ka direktivë të posaçme.

Një politikë e ngjashme, e papranueshme, nacionaliste, ka bërë që Maqedonia të rrinte tek dera e organizatave për 20 vjet, të quhej ish-shtet, të ndërronte edhe emrin e shtetit, duke ndryshuar kushtetutën e saj. BE-ja, i gjithë komuniteti ndërkombëtar, çfarëdo të kuptohet me këtë dy fjalësh, bënte sehir! Ajo bën sehir edhe sot, kur një anëtar i saj ende mban në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë dhe nuk ka ndërmend ta abrogojë atë! Politikisht, juridikisht, teknikisht, ajo është në situatë lufte me Shqipërinë.

Nëse Greqia nuk ndërron qëndrim, nëse BE-ia nuk ka forcë të bindë Greqinë të heqë dorë nga vetoja aktuale, apo nga vetot në vijim të procesit, të drejtë që ia jep zbatimi i metodologjisë të re, nuk shoh arsye përse Shqipëria duhet të vijojë angazhimin maksimal në procesin e integrimit dhe të mos diversifikojë marrëdhëniet me botën. Shqipëria ka qenë aty ku është, ajo i ka mbijetuar tufaneve me mijëra vjet edhe pa BE-në. Ajo do mbijetojë edhe mijëra të tjerë po ashtu, me ose pa BE-në. Ajo ka popull vital, të mençur, punëtor, që e do vendin e vet më shumë se gjithçka tjetër.

Po i kthehemi dy vatrave të ndezura, të rrezikshme, që përmendëm më lart, Ukrainës dhe Lindjes të Mesme. Si e shikoni lidhjen, nivelin e rrezikut, nga këto dy zhvillime?

“Lufta në Ukrainë ka filluar të zbehet ndjeshëm nga radari i Perëndimit, të mos ndihet më ‘Fitorja e plotë ndaj Rusisë’. Ka, filluar të shihet mundësia e një negociate potenciale për të ndalur luftën. Asnjëra nga palët nuk i beson tjetrës. Kjo lloj negociate ka shumë të ngjarë të çojë në lëshimin e disa pjesëve të Ukrainës.

Ukraina ishte afër marrëveshjes me Rusinë në prill 2022. Zelenskit iu imponua të mos pranonte, të vijonte lufta, ose Ukraina nuk do kishte anëtarësim në NATO. Ukraina do kishte qenë e pacënuar, e plotë, mjaft më mirë se tani. Tani negociatat do jenë tepër të vështira, arritja e një marrëveshje edhe më e vështirë. Negociata, nëse ndodh, do shohë mbi tryezë vetëm kushtet e Rusisë. Ata po fitojnë se nuk po humbin.

Marrëveshjet e Minkut, siç u pohua haptas nga vetë drejtues perëndimorë, ishin vetëm fasade, për të fituar kohë, që të armatosej dhe të forcohej Ukraina. A janë mirë në mend politik-bërësit e Perëndimit? Shumica, nëse jo të gjithë, ende nuk pranojnë t’a shohin çka duket qartë.

Ish prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Juri Lutsenko, tha në televizion më 7 janar 2024, se Ukraina ka humbje të mëdha: 500 mijë të vrarë dhe të plagosur rëndë. Ai tha se duhen publikuar numrat realë të humbjeve për të njoftuar popullin për seriozitetin e situatës.

Ukraina neutrale dhe e pa-angazhuar ishte kosto e lartë për administratën amerikane. Pas dy vitesh, situata është tejet e rëndë. Ukraina është e shkatërruar, është humbur territor, qytete janë bombarduar, janë shpërngulur miliona njerëz, miliona të tjerë janë larguar nga Ukraina; industria dhe infrastruktura janë prishur, të rinj dhe pleq merren me forcë nga rruga për t’i çuar në luftë. Kundërshtitë janë rritur brenda drejtuesve ushtarakë ukrainas.

Entuziazmi i aleatëve për të dërguar armatime dhe ndihma të tjera financiare po venitet. Ka filluar të dëgjohet se po të kishin pranuar neutralitetin, Ukraina do kishte ruajtur kompaktësinë territoriale, nuk do kishte humbur qindra mijëra jetë njerëzish, do ishin kursyer qindra miliardë dollarë, do ishin ruajtur arsenalet ushtarake, Rusia nuk do ishte përqafuar aq fort me Kinën, bota do ishte kursyer nga rënie të theksuara ekonomike, shkaktuar nga operacionet ushtarake dhe nga sanksionet ekonomike.

Të njohësh marrëzinë e politikës të Perëndimit nuk do të thotë kurrsesi që të justifikosh pushtimin e Ukrainës. Ajo është e dënueshme, e tmerrshme, por jo e ‘paprovokuar’, siç pretendohet rëndom. U injoruan në ekstrem interesat e sigurisë të Moskës, që shpesh u ishin bërë prezent aleatëve, së paku nga 2007.

Vetëm dy shembuj: në vitin 2008, Fiona Hill, pjesë e stafit të sigurisë nacionale të ish presidentit Tramp dhe, që bënte përditësimin nga agjencitë e inteligjencës, e pat paralajmëruar ish-Presidentin Bush, se: “Zoti Putin do i shihte hapat për ta sjellë Ukrainën dhe Gjeorgjinë në NATO si lëvizje provokative, që kishte shumë të ngjarë të provokonte veprime parandaluese ruse”. Rreth asaj kohe, Bill Burns, ish ambasadori amerikan në Moskë, sot Drejtor i CIA-s, shkroi telegramin e famshëm, të argumentuar, që njihet si “niet means niet”, se ajo është vija e kuqe më e shndritshme për krejt establishmentin rus dhe, se Këshilli NATO-Rusi do lidhej me makinë ekstrakorporale, për t’a mbajtur gjallë, ose do i skadonte afati.

Tani duket se sfida është si të justifikosh veten nga gabimet e tmerrshme dhe të rikuperohen disa nga humbjet. Lufta nuk ka pasiguri. Vazhdimi i luftimeve do shterojë ushtrinë dhe ekonominë. Rusia duket se e ka kaluar furtunën e sanksioneve. Ajo do mbetet partner i vogël i Kinës. Ndoshta është vendosur që Ukraina duhet të negocioje tani, pavarësisht çmimit për të ndalur luftën me Rusinë. Shumë keq që nuk u mendua kjo dy vite më parë! Lufta në Ukrainë duket humbje e madhe. Plani për fitoren e Ukrainës është demonstrim i mungesës të kuptimit, i llogarive gabim, i mungesës të një strategjie të qartë. Trupat ruse duket se do ecin drejt Lumit Dnjepër. Ukraina nuk ka mjete ta ndaloje avancimin e rusëve. Uashingtoni insiston të shtyjë trupat e NATO-s në kufirin me Rusinë, të vendosë baza të reja në veri të Suedisë dhe Finlandës. Përsëritet gabimi që u bë, që çoi në luftë me Ukrainën”.

Po në Lindjen e Mesme?

“Lufta në Lindjen e Mesme sapo ka filluar. Ajo nuk duket se do mbarojë, kur Izraeli të vendosë të ndalë luftimet. Lufta e Izraelit me Hamasin sikur po kthehet në fushatë për të spastruar popullsinë arabe nga Izraeli. Kjo ka çuar në përplasje të SHBA dhe Izraelit me boten arabe, potencialisht dhe me Rusinë, Kinën, dhe Jugun e Globit.

Ajo që po ndodh flet për rishpërndarje të re dhe ndryshim të thellë të ekuilibrit të forcave, që po bëhet nga fuqitë në rritje, si Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Arabia Saudite. Ato po i largohen pushtetit politik, ushtarak, ekonomik të Amerikës, në kohën kur ekonomia e saj raportohet se po rrëshqet drejt recesionit. Faktet nuk duhen injoruar, pavarësisht tendencave dhe mendimit se kështu dëshiron. Po ecet drejt një lufte më të gjerë, një rrënimi financiar në vitin që sapo hymë. Rrezik i jashtëzakonshëm.

Jetohet ende me suksesin e Luftës të Gjirit në 1991, me superioritetin e teknologjisë, organizimit, cilësisë të ushtarakëve dhe marinsave. Luftërat e mëparshme, deri tek kjo e fundit me Rusinë, trajtohen nga ekspertë ushtarakë se kanë qenë si stërvitje ushtarake kundër objektivave të dobëta dhe, jo luftëra përballë një ushtrie të rregullt. Ajo epokë duket se ka mbaruar. Të tjerë sot kanë po ato teknologji, disa edhe më të mira, se vetë ato të forcave perëndimore.

Përgjigja e SHBA-së ndaj sulmit të tmerrshëm e të papritur të Hamasit në 7 tetor 2023 nuk ishte se nuk pritej. U injoruan ndërkohë sulmet denigruese ndaj Xhamisë Al-Aqsa, tempulli i tretë më i rëndësishëm i botës myslimane prej gati 2 miliard njerëz, si dhe sulmet e dhunshme ndaj arabëve në Bregun Perëndimor. U ofrua ndihmë dhe mbështetje për të rivendosur sigurinë e Izraelit, ndaj operacioneve të tij në Gaza, edhe pse u kapërcyen kufijtë e një operacioni ndëshkues, që priste shumica e botës.

Brenda një muaji u pa qartë se Forca e Mbrojtjes e Izraelit (IDF) planifikonte të shkatërronte Hamasin dhe të lironte pengjet. Nuk shihet se ka pasur sukses. Fushata e bombardimeve masive sugjeron se është një operacion për të përzënë dhe vrarë popullsinë arabe në Gaza, si pjesë e një fushate më të gjerë, eventualisht për të spastruar Izraelin nga popullsia e saj arabe. Kjo luftë duket se tani po fillon. Vetë Netanjahu tha se: ajo do vijojë potencialisht deri në 2025, në fakt, për aq kohë se do ketë mbështetjen e pakushtëzuar amerikane. Shihet një lloj tendence për ta zgjeruar luftën dhe përfshirë Iranin. Duket se Izraeli do që të përshkallëzohet. Synim i vjetër mbi 30 vjeçar.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin-vendim paraprak, me pesë urdhër-kërkesa për t’u zbatuar nga Izraeli. Ajo përbën fitore të Afrikës të Jugut ndaj pandëshkueshmërisë, ndjenjës së të paprekshmit, por edhe në shumë, të Drejtësisë Ndërkombëtare. Ai vendim do shkundë strukturat administrative politike të komunitetit ndërkombëtar. Është skandal i vërtet që mediat perëndimore, veç një përmendje të vogël të FT, bënë bllok total dhe nuk dhanë asnjë lajm për vendimin e Gjykatës. Kjo flet për cilësinë, nivelin dhe besueshmërisë të mediave të lira sot!

Forcat e Izraelit mund të ndërmarrin operacione ushtarake kundër Hezbollahut në Liban. Tani për tani ka shkëmbime zjarri në kufi midis Izraelit dhe Hezbollahut. Këto shkëmbime zjarri papritur mund të përshkallëzohen.

Drejtuesit ushtarake izraelitë kanë nivel të lartë. Ata dinë hollësi se sa është arsenali jashtëzakonisht i madh i raketave me precizion tepër të lartë të Hezbollahut dhe të milicisë të tyre të stërvitur tepër mirë. Ata me siguri kanë paralajmëruar drejtuesit politikë se lufta me Hezbollahurn do ishte tepër e rrezikshme të përballohet pa ndihmën amerikane, ndërkohë që Gaza dhe Bregu Perëndimor mbeten dy zona të tjera konflikti. Po ecet si somnambul drejt një lufte rajonale, ku mund të përfshihen më shumë se një shtet, si drejt një humnere.

Qeveritë e shteteve rreth Izraelit nuk duan luftë. Popullsitë e tyre janë egërsuar nga ngjarjet në Gaza. Ato kërkojnë të merren veprime konkrete. Dy milion myslimanë në botë turfullojnë nga çka po bëhet në Gaza. Nuk është për t’u përjashtuar, por duhet parë si pjesë e ekuacionit, se elitat sunduese në Egjipt, Jordani, Irak, Arabi Saudite edhe mund të futen në luftë kundër Izraelit, ose të përballen me grushte shteti nga brenda për t’i rrëzuar nga pushteti.

Sot bëhen edhe më të rëndësishëm rolet që mund të luajnë Turqia dhe Irani, dy ish rivale historikë për dominim strategjik në Lindjen e Mesme dhe udhëheqësi në lëvizjen islamike në botë. Ata po vështrojnë me kujdes gjithçka po ndodh në Gaza. Të dy këta shtete kanë forca ushtarake shumë të zhvilluara dhe në gjendje të shkatërrojnë një shtet tjetër, ndërkohe që janë të ndjeshme ndaj armëve bërthamore të Izraelit.

Ka disa të marrosur, që i fryjnë luftës me Iranin. Por ata injorojnë një të vërtetë, se lufta me Iranin do e vendoste Amerikën përballë një shteti që ka jo vetëm nivel tepër të lartë armatimi, cilësie, sasie dhe sofistikimi, por ka edhe mbështetjen e Rusisë dhe, më në distancë, të Kinës. Interesat e Kinës janë pazgjidhshmërisht të lidhura me humbjen e aksesit të naftës dhe të gazit nga Kanali i Suezit dhe nga Afrika Lindore. Një luftë me Iranin do çonte në mbyllje të Ngushticës të Hormuzit dhe në mbylljen e mundshme të Kanalit të Suezit. Shtetet arabe, Turqia dhe Irani, do e shihnin atë luftë si rast për të dëmtuar fort ekonomikisht Perëndimin dhe Amerikën. La shije të hidhur, dha sinjal të qartë refuzimi, që i bënë Firmat më të mëdha të Sigurimeve sigurimit të anijeve tregtare që lundrojnë përmes Detit të Kuq.

Irani ka trefishuar pasurimin e uranit me rreth 9 kg në muaj. Shpejtimi i prodhimit të uranit të pasuruar në nivelin 60 % U-235 ngre shqetësim jo të vogël, sepse materiali mundet shumë shpejt të pasurohet deri në nivelin 90 %, nivel ushtarak për armë bërthamore. Nëse Izraeli këmbëngul kundër Hezbollahut, Irani do dojë ta zmbrapsë një sulm bërthamor të Izraelit ndaj Hezbollahut.

Turqia nuk ka armë bërthamore, por ka akses në mbushjet bërthamore përmes Pakistanit. Ankaraja nuk e sheh tërheqëse opsionin që të bëhet fuqi bërthamore, as Izraeli që t’i përdorë ato armë kundër Turqisë.

Këto ngjarje të kujtojnë rreziqet e amerikanëve gjatë Krizës të Raketave të Kubës në vitin 1962. Ajo nuk duket se njihet dhe, as u shkon ndër mend elitave atje! Pikërisht këtu është rreziku më i madh, plus kombinimit të verbërisë ndaj kufirit të forcës dhe besimit të tepruar tek sanksionet dhe forca ushtarake për të bullizuar partnerët kokëfortë. Kohët kanë ndryshuar. Nuk jemi më në vitin 1990”.