Nga Edon Qesari
Besoj se shumëkush mes lexuesve të përhershëm të kësaj reviste, por dhe përtej, është vënë në dijeni të një peticioni të firmosur nga emra të ndryshëm të kulturës dhe kërkimit shkencor shqiptar në lidhje me atë që gjykohet si prani e “sharlatanizmit” në mediat e ndryshme audiovizive shqip. (Nuk do të desha të merresha me lajmin në vetvete, por me pasojat e masave shtrënguese për të cilat i bëhet apel Autoriteti i Mediave Audiovizive. Ndaj, para se të hyj drejt e në temë, po marr për të mirëqenë se kush më shfleton e ka mirë parasysh tekstin e peticionit, i cili gjithsesi mund të gjendet i raportuar këtu.)
Është i qartë, deri dhe i kuptueshëm, shqetësimi i ngritur në rreshtat e atij peticioni. Paçka se, vlen për t’u sqaruar, dukuria ka marrë dhenë, është ulur këmbëkryq, e duket pak si vonë për të mbajtur një qëndrim. Nuk është vendi për të dëftuar meritat e “kujt e tha i pari”, porse u bë kohë, shumë kohë, që në faqet e Peizazheve të Fjalës është shkruar, e mandej diskutuar, qysh në origjinat e dyndjeve barbare në televizione e media të ndryshme (e sesi këto media i prisnin krahëhapur, se përndryshe ç’do të bënin pa barbarët), prania në rritje e sojit të atyre që peticioni vendos në qendër të shqetësimit.
Është shkruar, madje është analizuar dukuria; ka pasur rrekje të arsyeshme për ta kuptuar atë, për të kuptuar vetë shoqërinë, zhvillimet teknologjike dhe përshtatjen e jetës pas tyre – me qëllimin e vetëm për t’i dhënë një shpjegim sa më të akullt ndikimit të pamohueshëm që personazhe dhe forma të caktuara ligjërimi kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë mbi publikun e gjerë.
Me një fjalë, nëse gërmëzimet pseudo-etimologjike apo ligjërimet historike me gishta që flatrojnë si krah shqiponje janë kthyer, siç thuhet shpesh, në një “sport kombëtar”, ka pasur nga ata të cilët janë përpjekur, qysh në krye të herës, ta kuptojnë pse-në; e veçanërisht që ta lidhin këtë escalation daljesh mediatike – që ka ndodhur para syve tanë, shpesh dhe pa e kuptuar dhe vlerësuar seriozisht, këto katër-pesë vitet e fundit – me disa arsye, ndonjëherë edhe foshnjore, të cilat kanë të bëjnë me kohët në të cilat jetojmë.
Dhe janë pikërisht kohët – ato në të cilat jetojmë, e që shpeshherë nuk ua kapim ritmin me të cilin ato ndryshojnë para syve tanë – kohët po thosha, të cilat na detyrojnë të themi, pak si pa takt, se këto punët me peticione dhe me kërkesa për të mos qasur X-in dhe Y-in te hyrja e televizioneve, nuk pijnë më lëng. Hiç fare.
Thënë më shkoqur, të tilla sipërmarrje me peticione jo zgjidhje që nuk japin, por ato rrezikojnë ta mëkëmbin problematikën, ta fryjnë dhe ta dhjamosin atë, duke e bërë muhabetin edhe më lëtyrë se ç’është.
Mund t’i vësh kufirin tek thana kujtdo që orvatet t’ia shpjegojë gjeografinë e Siberisë me një v që bie dhe zëvendësohet nga b-ja (në mënyrë që, po ia fus kot tani, të dalë fjalëformimi “Si-veri”, meqë Siberia ndodhet në pjesën veriore të globit); si dhe t’i bësh ban cilitdo yshtar të këtillë që ulet në studio televizive dhe si pa gjë të keqe i jep ujë me bishtin e lugës Çabejt apo Moisiut në mal.
Megjithatë, duhet fare pak imagjinatë për të kuptuar se, edhe në rast se studiot e sotme televizive do të ndërgjegjësoheshin, e do të bëheshin rrufeshëm partizanë të skrupullit didaktik dhe shkencor, duke hequr dorë nga ushqimi i vetëm që i mban me frymë në tregun e shumëllojshëm mediatik – ushqim që është asgjë më shumë se ndjekshmëria e publikut të cilën ato, nëse e zënë, e mbajnë me kthetra – duhet fare pak imagjinatë pra, për të marrë me mend se menjëherë pas këtij konvertimi të televizioneve në seriozitet portat e Hadit, të përfaqësuara nga një lemeri e pakufishme rrjetesh sociale dhe gjithsesi alternative, do të shqyheshin për cheerleaders-at e turbofolkut albanologjik.
Rezultati (dhe kam arsye të mirëpeshuara për ta menduar kësisoj): pellazgologjia dhe derivatet e saj në gjuhësi, histori dhe patriotizëm kafenesh mediatike do të bënin namin gjithsesi. Duke marrë me vete dhe zhgënjimin e televizioneve, pasi ndalesa që atyre u është sugjeruar përmes peticionit drejtuar AMA-s, në fakt, ka qenë pikënisja e fundosjes së tyre të paralajmëruar.
Më keq! Ban-i dhe mekanizmi kontrollues që apelohet në peticion do të shkaktonin asgjë më shumë se pulla e kuqe për një film të gjykuar si të përshtatshëm për moshat mbi 18-vjeçarët në mendjet e nën 18-vjeçarëve. Thënë ndryshe: para se të masturbohet mendërisht me zbulimin se piramidat e actekëve kanë origjinë nga Çermenika (po ia fus kot prapë, por nuk i dihet!), publiku do të masturbohej fizikisht me teori konspirative sipas të cilave aksh zbulues të eksodit të çermenikasve në Meksikën para-kolumbiane e kanë ndaluar që të tregojë të vërtetën mbi origjinën hyjnore të shqiptarëve dhe të gërmave biblike që ata skalitën mbi pllakat e 10 Urdhëresave.
Këtu cenohet, mohohet, NDALOHET, liria e fjalës! – do të thuhesh nga shumë anë (siç po thuhet që tani, pa u tharë ende boja e kallamarit të peticionit). Këtu i fshihet publikut e vërteta e pamohueshme (zakonisht bashkëngjitet edhe fjala “shkencore”, në këtë rast)! – do të ulëritet nëpër media sociale. Këtu po tentohet të instalohet komunizëm në shkencë (se pak red scare nuk bën dëm asnjëherë)! Këtu kanë shtrirë tentakulat grekët, serbët dhe vllehët (për të mos lënë pa përmendur edhe më të fundit e të huajve që nacionalizmi turbo-folk ka vënë në majë të hit parade-it të armiqëve të shqiptarisë)!
Dhe tani pyes seriozisht: jemi në prag të hyrjes së këtyre personazheve në Big Brother apo në Kuvend dhe ju vërtet mendoni se po zgjidhni punë duke thirrur AMA-n për disiplimin të ftesave të tyre nëpër banaqe televizive? Nuk besoj ta keni seriozisht!
I pari efekt, e i vetmi sipas meje, që ka prodhuar lajmi i atij peticioni është viktimizimi – e për pasojë, popullarizimi – i korifejve të turbo-albanologjisë. Ca share më shumë, like me gjyma dhe komente që s’kanë fund në mbështetje të atyre që peticioni i ka kthyer në martirë pa u prekur një qime. Mbështetje nga dashnorët e fjalës së lirë, mbështetje nga QAnon-istët e nahijes sonë, mbështetje madje edhe nga ata që mendojnë sinqerisht se të akuzuarit nga ana e peticionit janë veç sharlatanë, por që janë të zhgënjyer se nuk u thirrën të hedhin edhe ata firmën si intelektualë peticionistë (“ju s’më përfillni, unë vete me mullixhiun turbofolk”). Në vetëm 24 orë.
Ndonjë zë i matur, mbase me të drejtë, është munduar ta zgjerojë rrezen e veprimit që një masë anti-sharlataneske duhet të ketë: duke thënë se vetëm shtypja (repression) nuk është zgjidhje, se përkundrazi, turbofolku vepron më lehtë si drogë në vena të pashëndetshme, se degradimi i përgjithshëm i arsimit dhe kulturës publike ushqen triumfin e sharlatanëve. Prandaj masat duhen marrë, vazhdon arsyetimi, që në gjenezë të individëve të cilët sot gjithmonë e më shumë janë kthyer në shikues/dëgjues të llumit televiziv, përfshirë të sharlatanëve të cilët e bëjnë këtë publik të narkotizuar që të gëlltisë parajsa artificiale, qëllimi i të cilave nuk është tjetër veçse ta ngushëllojë për realitetin; se dikujt që e ka të sotmen për faqe të zezë, e nuk ka nge t’ia nisë nga e para, është normale që do t’i pëlqejë ndonjë dozë televizive ku një reper i tregon se frëngjishtja e ka origjinën te shqipja, e një zanatçi tjetër i tregon për kohët kur shqiptarët, pra ne, themelonim Atlantidën.
Vërejtje me vend, të gjitha. Veç për faktin se ato, pa na e thënë në sy, ftojnë që ta flemë mendjen për viktimat e sotme të sharlatanizmit nëpër media tradicionale dhe sociale: se i ka marrë lumi dhe do bëjmë si do bëjmë, por të paktën të shpëtojmë brezin e ri. Duke harruar se një pjesë e mirë e sharlatanëve, në mos të të gjithëve, ka mësuar t’i heqë pelenat pikërisht në arsimin shqiptar; duke harruar se edhe peticionistët e kanë prejardhjen te po i njëjti arsim, e se me degradimin e këtij arsimi, me tezat dhe krijesat monstruoze që ka prodhuar, është flirtuar pak si shpesh në këto dekadat e fundit. Të njëjtat shkolla, të njëjtat katedra, të njëjtat diplomore, të njëjtat akademi, të njëjtat shtëpi botuese që kanë kurorëzuar sharlatanët – e prej tyre kanë vjelur të holla, të trasha dhe followers – nuk mund të bëjnë tani sikur s’e dinë se ku janë ngjizur soji i tyre.
Sharlatanët janë Frankeshtajnë. Nuk vijnë nga hiçi.
Por sa më shumë molepset ky muhabet, aq më tepër më ka rastistur të diskutoj me miq e kolegë mbi mënyrën sesi duhet trajtuar. Qoftë dhe duke e vëzhguar nga larg, pa qenë i përfshirë në kurrfarë hate speech-i që në bisedat televizive mbi gjuhësinë, historinë, arkeologjinë etj., ka marrë tashmë formulat edukative të një sherri në shkallaret e stadiumit. Madje duke mos u bërë as pjesë e threads-eve plot komente në rrjetet sociale, ku njëri pas tjetrit dalin hyzmeqarë të të mësojnë për origjinën e shqipes me fjali te të cilat e vetmja shenjë pikësimi është pikëçuditësja.
Nuk janë të pakët ata që, me mirëbesim, mendojnë se dukuria e sharlatanëve, në njëfarë mënyre, duhet përballur. Se me hir a me pahir, ata janë pjesë e konsoliduar e mediumit, e se duhet shkuar t’i tregohet vendi, me argumente, bash në shesh të mejdanit: në ato televizione dhe media tradicionale të cilat i ftojnë që të mbajnë publikun me gajret.
Janë dy arsyet se përse, unë personalisht, kam një qasje tjetër; në mos të kundërt:
Së pari, sallonet televizive nuk janë auditore të ndonjë forumi iluminist, e as salla në të cilat do të improvizohet ndonjë përballje e drejtuar nga ndonjë togë e rreptë por dinjtoze. Televizionet as që e fshehin bindjen e tyre të thellë se publiku do bukë dhe cirk. Dhe shembuj palaçollëqesh dhe sjelljesh krejt të pahijshme, në debat dhe deri në kacafytje, ka pasur mjaft deri më sot. Kush niset me qëllimin e mirë për të pasur një diskutim serioz mbi teza të caktuara me këdo, duhet të marrë parasysh se shtjellimi i tyre – që lyp kohën e vet dhe ka nevojë për shmangien e ndërprerjeve apo të çjerrjeve – nuk është në interes të spektaklit televiziv. Dhe për dikë që nuk e përball presionin në këtë drejtim, e nuk ka gjakun e ftohtë, spektakli rrezikon të kthehet në denigrim të vetvetes. Kur hyn në një arenë, nuk mund të pretendosh se s’po trajtojnë si shtazë dëfryese.
Së dyti, ka tematika të cilat në një studio televizive, njësoj si në radhët e një statusi në Facebook, nuk mund të shtjellohen. Ose të cilat do mbeten peng i një fryme të përciptë dhe aspak skrupuloze.
Refreni i vazhdueshëm i drejtuesëve televizivë është se diskutimet dhe argumentet duhen thjeshtuar, se sqarimet duhen shkurtuar, se nuk kemi kohë për ta stërholluar shumë bisedën, se publiku nuk është ekspert dhe se ca gjëra nuk i kupton. (Publiku qoftë që pranon të trajtohet kështu si i metë…) Ndaj e rëndësishme është të zgjohet reagim publik – edhe nëse ky reagim prodhohet nga një publik që s’kupton – që të mbahet ritmi i transmetimit, që të flitet shkurt, qartë dhe mundësisht të ketë pak sherr.
Duke marrë përsipër të mirëkuptoj merakun kryesor të një trasmetimi televiziv – që nuk është meraku im, meqë puna ime nuk varet nga telekomanda e publikut (a të paktën kështu do të duhet të jetë, ngase parimi vox populi, vox dei nuk ka valencë shkencore) – pyes veten se si dreqin mund t’i argumentosh shkoqur, qartë dhe shpejt dikujt që thotë se qeverisja e sotme e botës komandohet nga “çifutëria ndërkombëtare”, që këmbëngul se Homeri fliste gegërisht dhe se gjenetika jonë provon se jemi popull i përzgjedhur.
Sepse që t’i përgjigjesh do të thotë ta marrësh seriozisht; e për të marrë seriozisht një gomarllëk duhet të tregosh se e kundërta e atij gomarllëku është studimi dhe hulumtimi; e se shpalosja e këtyre, po aq sa e qitapeve, nuk është çështje shkëmbimi batutash që të japin idenë e një ringu televiziv; dhe se disa gjëra të natyrës teknike nuk mund të thjeshtohen në banalitete; se nëse dikush ka shpenzuar kohë për t’i përvetësuar disa dije është aritmetikisht e pamundur që ajo kohë të barazohet me minutazhin që lyp televizioni dhe pretendon publiku i cili mendon se pas atij emisioni i di të gjitha mbi historinë, gjeografinë dhe patjetër astrologjinë. Në mos i ka ditur që para emisionit, e këtë të fundit e sheh vetëm për të vërtetuar, pa e ditur, efektin Dunning-Kruger.
Në fund fare, të gjitha këto barazohen me një fakt të vetëm: që është turp për dijet e përftuara me mund, e me pasion dhe durim, që t’i hedhësh në kandarin e një përballjeje televizive ku qëllimi kryesor është a) mbushja e programacionit b) reklamimi i një “kundërshtari” që deri në çastin e përballjes do t’ia kishe hasur emrin vetëm në ndonjë revistë me fjalëkryqe, por kurrsesi shkencore.
Është pak turp edhe për veten, ç’është e vërteta.
Publikut që me çdo kusht do të dijë të vërtetën, por që e kërkon këtë brenda minutazhit televiziv, e se e ka më të thjeshtë që t’i besojë entertainment-it se të zhytet në lëndën e murrme të studimit pa zhurmë, hare dhe ndonjëherë plot mërzi, përpos se të gjatë në vite; publikut që trajtohet si një masë amorfe dhe për arsimimin e të cilit mendohet se duhet t’i drejtohemi televizioneve dhe mediumeve të tjera të masës – atij publiku i vleftë kjo introduktë që Umberto Eco, një njohës i mirë i diletantizmit shkencor dhe butaforisë mediatike, bëri gjatë një ligjërimi në vitin 2014:
« Në Librin I të Mbretërve, kaptina XIX, shkruhet se kur profeti Elia gjendej në shpellën e malit Oreb, tamam në çastin kur dhe thërritet në prani të Zotit, fryu “një erë e vrullshme dhe e fuqishme, aq sa për të çarë malet dhe thyer shkëmbinjtë”. Megjithëkëtë, thotë Vulgata, “non in vento Dominus”: Zoti s’ishte në erë. Zoti s’ishte as në tërmet, vazhdon Vulgata: “non in commotione Dominus”. Pas tërmetit ra një zjarr, por “non in igne Dominus”: Zoti s’ishte në zjarr.
Zoti s’ka si të jetë në zhurmë, Zoti shfaqet veç në heshtje. Zoti s’gjendet kurrë nëpër masmedia, Zoti s’është kurrë në faqet e para të gazetave, Zoti s’është kurrë në televizion, Zoti s’është kurrë në Broadway. Zoti është aty ku nuk ka trazirë.
Dhe kjo maksimë vlen dhe për ata që s’besojnë në zot, por që mendojnë se diku gjendet një e vërtetë e cila duhet zbuluar a një vlerë që duhet krijuar. E vërteta dhe krijimtaria s’mund të gjenden në një tërmet, por veç në një hulumtim të heshtur. »