Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Beratit, Bledi Çuçi zhvilluan një vizitë në Spitalin Bashkiak të Skraparit.

Ministrja u njoh nga afër me shërbimet që ofrohen në këtë spital për 17 mijë banorë dhe vlerësoi punën e mjekëve dhe infermierëve në shërbim të banorëve të kësaj zone.

Stafit të spitalit i është bashkuar edhe mjeku i ri specialist i cili zgjodhi të rikthehej në vendlindje menjëherë pas përfundimit të studimeve master në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike në Tiranë dhe u punësua nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë”.

“Jam bërë pjesë e stafit të spitalit të Skraparit me kënaqësinë më të madhe. Jam rikthyer përsëri në vendlindje sepse edhe banorët këtu kanë nevojë shumë për këtë shërbim. Dhe do vazhdoj të qëndroj këtu. Disa muaj qëndrova edhe vullnetar deri sa u hap portali dhe fillova punë nëpërmjet aplikimit në portal”, tha mjeku Geri Caka në bashkëbisedim me ministren Koçiu.
“Shumë suksese! Dhe njerëz si ju na bëjnë krenarë e na shtyjnë që të punojmë akoma më shumë që të sjellim akoma më shumë histori suksesi”, u shpreh ajo.

Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë shprehu mirënjohje dhe vlerësoi stafin e spitalit të Skraparit për punën e tyre të përditshme.
“Falënderim, mirënjohje për sakrificën e përditshme që bëni në shërbim të këtij komuniteti. Absolutisht e vlerësuar dhe krenare për gjithë punën që bëni çdo ditë. E rëndësishme është që ne të gjithë i shërbejmë një misioni të përbashkët, e mirëkuptojmë njëri-tjetrin si një familje e madhe”, tha ministrja Koçiu.

Në Spitalin Bashkiak të Skraparit ofrohen shërbime në pediatri, Mjekësi interne; Patologji; urgjenca; Obstetri gjinekologjike, Poliklinika e Specialiteteve; Shërbimi i Laboratorit; Shërbimi i radiologjisë; i kabineteve të kardiologjisë, të sëmundjeve të brendshme, fizioterapi, mikrokirurgji dhe farmaci.