Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se aleanca nuk ka në plan të dërgojë trupa në Ukrainë, duke prerë kështu pretendimet e disa vendeve perëndimor që po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të forcave ushtarake në terren. Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico tha më herët se disa vende deklaruan se duhet të arrijnë marrëveshje dypalëshe me Ukrainën për të dërguar trupa, për ta ndihmuar vendin të përballet me agresion rus. Fico nuk dha detaje të mëtejshme, por tha se qeveria e tij nuk planifikonte të dërgonte ushtarë. Edhe Republika Çeke e përjashtoi këtë mundësi.

NATO-ja si aleancë nuk e furnizon Ukrainën me mjete luftarake, por e mbështet me pajisje mjekësore, uniforma dhe pajisje për periudhën e dimrit. Por disa vende anëtare të NATO-s kanë dërguar armë dhe municione përmes marrëveshjeve bilaterale, apo shumëpalëshe. Çdo vendim që NATO-ja të dërgojë trupa duhet të mbështetet në mënyrë të njëzëshme nga të gjitha vendet anëtare.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha të hënën se dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë nuk duhet përjashtuar në të ardhmen, ndërsa po shënohet viti i tretë i sulmit në shkallë të gjerë nga Rusia.

“Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që Rusia të mos e fitojë këtë luftë”, tha udhëheqësi i Francës, gjatë një takimi në Paris. Ndërsa nënvizoi se “tani për tani nuk ka konsensus” për dërgimin e trupave, ai tha se “asnjë mundësi nuk duhet përjashtuar”.