Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar qëndrimin e këshilltarëve të PD së Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Arlind Qorrit, të cilët kanë tentuar që të prishin mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Në një intervistë për News 24, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se kjo qartazi është një axhendë e PD dhe e PL, por që dëmton interesat e qytetarëve. “Qartazi këtu ka një ndarje të roleve. Në parlamentin e Shqipërisë do jetë PD ajo që do degradojë dhe do sillet në mënyrë vulgare, do jenë funksionarët e PD që do lyejnë me miell punonjësit e gardës. Ndërkohë kanë ndarë rolet dhe në Bashkinë e Tiranës sportin e rrugaçërisë dhe të vulgaritetit duhet ta luajë partia tjetër.
Këtu ka një ndarje të qartë të roleve. Kur ti e kë axhendën e ditës ndihmën ekonomike, pagesën e personave që marrin bonus për shtëpitë e tërmetit, kur ti ke ndarjen e shtëpive të tërmetit, kur ti ke pagesën e njerëzve që mund të kenë pas zjarre, siç ishte pallati te njësia 7 që presin pagesën për të riblerë mobiliet dhe për të rregulluar shtëpinë. Dhe kur ti do të kalosh kampusin e Kolegjit të Europës. Asnjë prej këtyre çështjeve nuk është e PS”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se këto veprime të këshilltarëve të opozitës janë fyese. Veliaj shprehu bindjen se ata që tentojnë të bllokojnë ndihmën ekonomike apo rindërtimin e shtëpive, do të ndëshkohen nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme. “Sa fiken kamerat e kthen në një gallatë meqë kryetari i partisë të ka thënë të bësh këto lloj çudirash. Kjo është fyese, për mua, për ty dhe për ata që i kanë votuar këta njerëz. Ata vërtetë mund t’i kenë votuar shumë pak njerëz. Unë e mbaj mend kur kjo partia që ju thoni kishte një emër tjetër. Pasi mbylli numrin e niptit, hapi një numër nipti tjetër tamam si ata dyqanet që kanë borxhe me këtë fjalën e re, Parti e Lirisë. I kam parë edhe kur kanë qenë edhe 13 veta dhe 8 veta, dhe 6 veta dhe tani 3 veta. Në këtë sens e kuptoj që sa më pak të bëhen, aq më të dhunshëm bëhen. Por nuk i ndihmon se erdhën zgjedhjet e tjera. Se erdhën zgjedhjet e tjera. Dhe njerëzit do thonë: Ku ishe ti? Që nuk votoje ndihmën ekonomike, që nuk votoje asistencën sociale, që nuk voton shtëpitë e tërmetit, ndihmën që jepet pas një zjarri që ka rënë. Je aty që sa herë të thotë çifti i partisë, të hidhesh pupthi dhe të shkulësh kavot”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se kjo sjellje nuk e ndihmon Tiranën. “Në një moment kur Tirana është kryeqyteti Europian i Rinisë, i Sportit, i Kulturës, sot drejtojmë gjithë bashkitë e Ballkanit, dhe t’i bën një sjellje dy-thundrake të Mesjetës, ti sillesh si një neandertal që sapo ke zbritur në civilizim dhe nuk kupton çfarë janë kabllot, çfarë janë mikrofonat dhe fillon shkul dhe fillon shkul gjithë dynjanë aty. Kjo është e padenjë. Tirana këtë e ka si një lemzë të vogël. Për ata kjo lemzë do jetë mbytëse. Se do vijnë zgjedhjet e tjera dhe njerëzit do thonë ku ishit ju”, deklaroi ai.