Nga Mero Baze/

Tani duket se njerëzit që janë më pak entuziast për bashkimin, janë ata që u bashkuan, dhe ata me të cilët u bashkuan.
Ata që u bashkuan po shikojnë se dilemat e tyre para bashkimit tani thjesht po forcohen.

Krye dilema është Berisha dhe çfarë do të bëhet me të.

Bashkimi rreth Sali Berishës, është bashkim kundër Reformës në Drejtësi, kundër SPAK, kundër SHBA, kundër Britanisë së Madhe dhe gjithë vendeve të Bashkimit Evropian.

Mbi të gjitha është dhe një bashkim jo elektoral pasi është një figurë e urryer në Shqipëri që nuk ngjall shpresë.

Fakti që është më i fort se të tjerët në opozitë është qesharak si referencë, pasi ai thjesht është përdhunuesi më i madh i opozitës. Por kjo nuk e bën atë më të mirin e opozitë, por më të ndyrin.

Sali Berisha I ka të hapura kauzat e tij. Ai do të zhbëj SPAK dhe drejtësinë e re për të shpëtuar familjen e tij dhe për këtë I duhet pushteti. Në mos arrin dot të marr pushtetin I duhet të mbrohet politikisht.

Dhe për këtë ai ka vetëm një mekanizëm të mbaj monopolin e opozitës dhe të duket më I forti me qëllim, që gjithë të tjerët që kanë halle të tjera, ti bashkohen hallit të tij.

Tani disa emra të njohur, që janë bashkuar me Berishën, disa në parti e disa në protestë, si Gazmend Bardhi Agron Gjekmarkaj, apo dhe Jorida Tabaku, po përpiqen të japin ide se si duhet të bëjnë rreth Berishës edhe ata që janë pro SPAK edhe ata që janë pro SHBA edhe ata që janë pro Britanisë së Madhe dhe BE në tërësi.

Pra dhe ata që janë kundër kauzave të Berishës, ti fusin në thesin e Berishës me qëllim që ai të marr pushtetin dhe pastaj të zhbëj ëndrrat e tyre.

E thënë më shkurt, këta të bashkuarit rishtas me Berishën, e kuptojnë që me Beirshën nuk fitojnë dot dhe tani duan të fshehin Berishën dhe të thërrasin elektoratin antiberishë në koalicion që të ndihmojnë në finale Berishën.

Është dhe naivitet dhe paturpësi njëkohësisht. Është e vërtet që në opozitë madje në shumicën e opozitës njerëzit e duan SPAK, drejtësinë e re, SHBA , BE etj, por ata njerëz nuk mund të përfaqësohen ilegalisht nga Sali Berisha.

Le të dal dikush tjetër ti përfaqësoj dhe të bëhen shumicë në këtë vend. Të marrësh ata që kanë aspirata të kundërta me Berishën dhe t’ia cosh në paj Berishës meqë duhet të bëhesh i dobishëm për të, është një përpjekje për të fshehur Berishën si gogol derisa të merret pushtetin dhe pastaj të shfaqet ai si triumfator edhe mbi SHBA edhe mbi Evropën edhe mbi drejtësinë.

Nuk ka nevojë ta fantazojmë këtë. Shikoni mitingun e 20 Shkurtit që me 5 mijë vetë në shesh u shpall 120 mijë vet, dhe u tha që ishte kundër SHBA dhe SPAK nga vet njerëzit më besnik të Berishës.

Pra dhe Tabaku që ishte aty dhe Gjekmarkaj dhe Gazmend Bardhi dhe të tjerë që shkojnë si zogj që kanë humbur rrugën, u përdorën kundër SHBA, kundër SPAK, kundër drejtësisë publikisht. Mitingu u quajt sukses antiamerikan, madje reaksion ndaj Sekretarit të Shtetit.

Dhe ata heshtën dhe tani përpiqen si ta zgjidhin këtë punë jo duke u tërheq Berisha por duke ndihmuar Berishën ta fitoj këtë betejë.

Po kaq të dëshpëruar duken dhe besnikët e vjetër të Berishës, ata që mezi prisnin të vinin këta të tjerët të bashkoheshin.

Edhe ata kanë kuptuar se asgjë nuk ka ndryshuar dhe se Berisha mbetet përsëri problem. Madje tani atyre u janë shtuar dhe mysafirët e rinj si problem, pasi u duken si njerëz që kanë ardhur me lug në brez, siç thoshin për ata të KOP më 2005.

Kështu Besnik Mustafaj si diplomat i vjetër ka “nuhatur” që Berisha duhet fshehur nga të huajt dhe të caktohet një tjetër të flas me ta.

A thua se Berisha nuk e di këtë gjë. Problemi që ka Berisha është të detyroj të huajt të flasin me të dhe jo me telefon të prishur. SHBA, BE dhe Britania e Madhe thjesht nuk duan të komunikojnë jo vetëm me Berishën por dhe me kauzën e Berishës për të ardhur në pushtet. Ata nuk kanë problem personal me Berishën, ata kanë problem dhe me ata që përpiqen ta mbajnë gjallë Berishën, për tua imponuar atyre.

Por ndryshe nga këta që mendojnë se Berisha duhet të vij patjetër në pushtet qoftë dhe duke e fshehur të mos tremb dynjanë, Perëndimi nuk ngutet.

AI ja la në fillim në dorë këtë punë bashkëpunëtorëve të Berishës të distancoheshin nga ai dhe të bënin dteyrën e tyre.

Disa e bën, disa u lodhën dhe të tjerë u dorëzuan.

Perëndimi nuk dorëzohet.

Ndryshe nga ata që mezi presin të vijnë në pushtet, Peruendimi ka kohë të pres. Ata shumë objektiva që nuk i zgjidh politika dhe diplomacia, i lënë ti zgjidh biologjia. Çështje kohe është.