Në vigjilje të vizitës së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në Tiranë, u çel sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), Kryeministri, një ekspozite e veçantë me 50 fotografi të titulluar “Ukraina, një krim lufte” me dëshmi pamore të agresionit rus mbi popullin ukrainas, pjesë e librit me të njëjtin titull të grupit të fotoreporterëve nga e gjithë bota, të mundësuar nga FotoEvidence.
Libri “Ukraina, një krim lufte” është dokumentimi historik i vitit të parë të luftës ruso-ukrainase. me histori reale të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të mizorive. Libri në vetvete përfshin mbi 360 fotografi dhe 30 dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendesh të ndryshme nga e gjithë bota. Imazhet dhe reportazhet sjellin për shikuesin momentet e konfliktit, katastrofën humanitare dhe hetimet e krimeve të luftës.
Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite:
* * *
Përshëndetje të gjithëve! Mirë se keni ardhur këtu sonte!
Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë ambasadorin e Ukrainës i cili është këtu bashkë me ne dhe patjetër dua të falënderoj ata që e morën përsipër këtë iniciativë dhe arritën që në një moment si ky t’i japin jetë. Them në një moment si ky sepse kjo ekspozitë çelet në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, vizitë e cila është nga njëra anë një vizitë bilaterale, por nga ana tjetër është edhe një vizitë, e cila do të kulmojë me një Samit të vendeve të Europës Juglindore për Ukrainën ku do të kemi të ftuar një numër të konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Europës dhe ku presidenti Zelensky natyrisht është bashkë me ne si bashkë-organizator së bashku me mua, për këtë aktivitet që në kontekstin e sotëm ka, sipas meje, një rëndësi të posaçme.
Fjalët edhe përshkrimet për atë që ndodh në Ukrainë nga ana ime janë të tepërta sot, për më tepër kur ekspozita e përcjellë përmes emocioneve të fotografive që ngjajnë si fotografi filmash, por që në fakt janë fotografi të çdo ore dhe çdo dite e nate të popullit ukrainas, nën furinë e agresionit rus. Një agresion krejtësisht i padrejtë, krejtësisht i pajustifikuar dhe krejtësisht i pajustifikueshëm, patjetër.
Në ndërkohë që siç dihet botërisht, Shqipëria qëndron krah për krahë me Ukrainën, së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja dhe të ndërtojnë së bashku një të ardhme ku çdo vend dhe çdo popull dhe çdo individ ka të drejtën e lirisë, ka të drejtën e të jetuarit si i barabartë nën ombrellën e ligjit dhe të Kushtetutës demokratike dhe ndërkohë që agresioni i Rusisë mbi Ukrainën është si përpjekja për të imponuar të drejtën për të jetuar në të shkuarën dhe është një përplasje mes, në fakt, dy botësh, dy mënyrash krejtësisht të ndryshme për ta parë botën dhe për të parë vetë njeriun, për të parë vendet dhe për të kuptuar të drejtën e tyre të panegociueshme të integritetit territorial.
Duke shprehur edhe sot, me këtë rast, solidaritetin tonë të patundshëm për Ukrainën dhe për popullin ukrainas si dhe duke falenderuar edhe të gjithë ju për praninë tuaj këtu sot, shpresoj, uroj që këto momente të kaluara së bashku në praninë e këtyre imazheve të ardhura nga një front ku luftohet dhe ku humbasin jetë njerëzish e ku shkatërrohen pasuri të patundshme, të ngritura me mundim e ku jetohet ditë-natë nën presionin e sirenave që lajmëron bombardimin e radhës, ju shpreh të gjithëve edhe një herë tjetër kënaqësinë që jeni këtu sot!