Ish-presidenti Bamir Topi e cilësoi si ‘korrekt’ vendimin e marrë sot nga Gjykata e Lartë që urdhëron SPAK-un të hetojë 21 janarin e vitit 2011 ku u vranë 4 protestues para kryeministrisë së drejtuar nga Sali Berisha.
Topi tha se SPAK duhet të hellohet edhe më shumë në hetime, duke marrë nën hetim situatën e krijuar para ngjarjes, vrasjen e protestuesve dhe plagosjen e të tjerëve dhe në fund veprimet që u bënë nga qeveria e kohës për të penguar prokurorinë.
“Një çështje kaq e rëndësishme si 21 janari ka nevojë të thellohet në hetim. Pa dashur të ndikoj sadopak edhe në këtë pozicion që jam. Duke u kthyer te 21 janari mendoj se ajo ngjarje aq e rëndë ka nevojë të hetohet dhe gjykohet në 360 gradë.
Do të thotë jo thjesht në hallkën fundore por duket parë që në fillesat me situatën që i parapriu, 21 janarin dhe situata pas 21 janarit. Nuk bëhet fjalë vetëm për harkun kohor të disa orëve ku u zhvillua demonstrata dhe ku u vranë disa njerëz.
Kush ishin organizatorët, pse u përshkallëzua në dhunë, pse u tërhoqën ata të cilët e organizuan dhe pastaj pjesa tjetër e të gjithë atyre që urdhëruan vrasjen apo më mirë të themi urdhëruan gjuajtjen me armë tek njerëzit sepse nuk ishin thjesht ata që u vranë por edhe shumë të plagosur.
Për të ardhur pastaj tek goditja tepër e rëndë e institucionit të shtetit, tek pengimi që i është bërë prokurorisë për të marrë provat. Për atë pengesë që iu bë prokurorisë për të mos marrë në pyetje zinxhirin komandues të gardës”- u shpreh ish-presidenti në një intervistë për ‘Repolitix’ në Report Tv.
Ai foli edhe për një diskutim që ka patur me Lulzim Bashës për ngjarjen e rëndë, por pa zbuluar detaje. Topi theksoi se asokohe pati një mbulesë të qartë politike nga ana e qeverisë së Berishës.
“Unë do e lë në interpretim të përgjithshëm sepse kjo çështje do hetohet. Gjithçka që është shkruar, është shkruar më shumë kujdes dhe nuk mund të futem në detaje.
Diskutuam për situatën. Situata ishte jashtëzakonisht e rëndë. Thirrjes së prokurores së përgjithshme që krerët e zinxhirit komandues të Gardës të merreshin në pyetje e të dëshmonin dhe kësaj nuk iu përgjigjën. Në atë kohë ka pasur një mbulesë politike nga kryeministri”- u shpreh Topi.