Kryeministri Edi Rama ka folur në emisionin “Opinion” për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, i cili do të marrë 400 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Në një kohë që qeveria hoqi dorë nga ideja fillestare për të gjetur financim të huaj për ndërtimin e tij, Rama tha se shqiptarët do të kishin përfitime më të mëdha nëse shteti është pronar i portit.
Kreu i qeverisë theksoi se porti i vjetër duhej të ishte hequr që më parë pasi është një burim ndotje në Durrës dhe “shëmtie”
“Porti do të jetë fitimprurës për shqiptarët. Porti tregtar i Durrësit nuk është spostuar nga atje ku ishte thjesht për ti hapur rrugë për ta kthyer në një nga marinat më të bukura të Mesdheut. Jo për këtë, por sepse është një turp në mes të Evropës. Ai port ëhstë një burim ndotje, ndryshku, shëmtie. Ku shkarkon e ngarkon lloj-lloj gjërash mu në zemër të qytetit. Ai port duhej hequr një orë e më parë nga ai vend. Porti i ri tregtar i Porto Romano është një investim i një rëndësie strategjik e jashtëzakonshme për Shqipërinë. Do të ketë komponente ushtarake si një bazë e NATO, e para bazë e ndërtuar në Evropë për këtë qëllim në këtë kohë. Tek financimi i portit, i cili është një port që lidhet me dy porte të tjera të thata një në Përbishtin një në Maqedoninë e Veriut. Me vendet e tjera do të krijojmë një akses shumë më të shpejtë, pasi sot kalon gjithçka nga porti i Selanikut. Ne në Shqipëri na është dashur që të mos i linim qytetet të bëheshin kazerma. Kjo është çështje vizioni. Ne i kemi mundësit financiare. Kemi patur opsionin që ta nxirrnim në tender që të thonim kush do të vije ta financojë, por në atë rast shteti nuk do të ishte më pronar. Dhe të financojmë ne portin tregtar, që të jemi ne pronarë, pra shteti. Duhet ta keni të qartë se kur financojmë këto projekte, nuk e bëjmë për xhepin tonë. Pra, është më mirë që të jetë shteti shqiptar pronar dhe t’ia japi një operatori ndërkombëtar dhe të marri të ardhura”,-tha Rama.