Këshilltari politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Ragmi Mustafi ka publikuar pamje të xhandarmërisë serbe në Luginë të Preshevës. Mustafi përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook” ka ndarë video dhe një hartë të Kosovës ku duket aktiviteti dhe pozicionimet e ushrisë serbe. Ai ka theksuar se aktualisht në Serbi janë 48 baza ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Mustafi ka shkruar se skenat si kjo tashmë janë shpeshtuar në Luginën e Preshevës.

“48 baza ushtarake dhe të ‘Xhandarmërisë’ ‘forëard operating’ përgjatë kufirit. E postova, jo për të përhapur frikë ose zemërim, por për të hedhur dritë mbi realitetin me të cilin po përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar Mustafi.

Ky postim ka ardhur pak orë pas raportimeve nga kryeministri Albin Kurti i cili ka publikuar pamje nga njësi të specializuara të ushtrisë serbe janë parë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut. Kurti shkroi se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën. Ai theksoi se janë duke u vëzhguar me kujdes nese këto forca do të përpiqen ta kalojnë kufirin dhe shtoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.