Gjashtë muaj përpara se të ndërronte jetë në një koloni penale të Arktikut, udhëheqësi opozitar rus Alexei Navalny shkruante për shpresat që kishte për vendin e tij, dashurinë për familjen dhe letërsinë, si dhe maksimën që i kish dhënë formë mënyrës së tij të të menduarit: “Unë besoj se Rusia do të jetë e lumtur dhe e lirë”, thoshte ai. “Dhe unë nuk besoj tek vdekja”.

Kritiku i kahershëm i presidentit rus, Vladimir Putin, i ndau mendimet e tij në përgjigje të një pyetësori që u dërgohej të burgosurve politikë në të gjithë Rusinë nga Boris Akunin, një prej shkrimtarëve më popullorë të vendit, prej kohësh në mërgim.

Ai i botoi përgjigjet e të burgosurve në një libër elektronik në tetor të vitit që kaloi. Në janar, Rusia e shpalli Akuninin agjent të huaj dhe ai iu shtua një liste terroristësh dhe ekstremistësh, për shkak të kundërshtimit të tij ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Ja pyetjet dhe përgjigjet e Navalnyt.

Kush je ti?

Nga autoritetet e burgut, dëgjoj vazhdimisht këtë frazë: “Hmmm duket se qenke në humor të mirë sot”. Kështu që, po e përmbledh kështu: Unë jam një i burgosur politik, të cilit i mungon shumë familja e tij, puna dhe kolegët, por që vazhdon të mbajë lart humorin. Jam, gjithashtu, një leximtar. Pjesën më të madhe të ditës e kaloj me një libër në duar.

Në çfarë beson?

Besoj në Zot dhe në shkencë. Unë mendoj se jetojmë në një Univers jo të parapërcaktuar dhe se ne kemi vullnet të lirë. Unë besoj se ne nuk jemi vetëm në këtë Univers. Unë besoj se veprimet dhe punët tona do të vlerësohen një ditë. Unë besoj në dashurinë e vërtetë. Unë besoj se Rusia do të jetë e lumtur dhe e lirë. Dhe nuk besoj tek vdekja.

Kur merr vendimet më të rëndësishme, beson tek arsyeja, apo instikti?

Nuk ka kontradiktë këtu, është një alternativë e rreme. Evolucioni na ka bërë që të mos mendojmë shumë thellë dhe shumë gjatë, kur shohim që kemi një gjarpër në shtrat. Nga ana tjetër, nuk marrim vendime të atypëratyshme për të ndërtuar një shtëpi ku nuk mund të hyjnë gjarpërinjtë. Eshtë një libër i mrekullueshëm për këtë, i quajtur “Të menduarit shpejt dhe ngadalë”, me autor Daniel Kahneman. Jua rekomandoj.

Cila është gjëja më kryesore në jetë?

Të jesh i dobishëm për shoqërinë dhe të mbetesh një njeri i mirë.

Cila gjë të sjell më shumë gëzim?

Momentet e thjeshta familjare. Si për shembull kur udhëtojmë të gjithë së bashku me makinë. Njëri prej nesh fillon të këndojë, dhe të gjithë të tjerët i bashkohemi. Dhe nuk ndalemi pa kënduar disa këngë resht. Dhe dashuria e lumturia rrjedhin natyrshëm.

Çfarë të trishton më shumë?

Mungesa e gatishmërisë së shumë njerëzve për të menduar, moskuptimi prej tyre i marrëdhënieve shkak-pasojë. Çdo herë që dikush më thotë: “Korrupsioni nuk ndikon mbi jetën time”, apo “këta që janë në pushtet kanë mbaruar punë me vjedhjet, por nëse vijnë të tjerë, ata do të fillojnë të vjedhin nga fillimi”. Mendoj: Si ka mundësi që qindra-miliona vite evolucion u kanë dhënë këtyre njerëzve një mendje – dhe ata nuk e përdorin?

Cila është ajo gjë që sjell të keqen më të madhe për njeriun dhe njerëzimin?

Gjithçka që i duhet të keqes për të triumfuar, është inaktiviteti i njerëzve të mirë. Eshtë një frazë që i është atribuar shumëkujt, por askush nuk e di saktësisht se kush e ka thënë. Eshtë shumë e saktë. Hipokrizia e neutralitetit, “apoliticizmi”, fshehja e dembelizmit, burracakëria dhe ligësia janë arsyeja përse një grusht të ligjsh të organizuar kanë sunduar mbi miliona njerëz përgjatë historisë.

Dhe dobia më e madhe?

Angazhimi në betejën e të mirës kundër neutrales.

Cila formë arti ka më shumë ndikim mbi ty?

E dashuroj letërsinë dhe mendoj se di diçka për të. Më pëlqejnë filmat, muzika dhe arkitektura, por nuk di shumë për to. Sa për pjesën tjetër të arteve, po jua them në mënyrë diplomatike: “I trajtoj me respekt”. Letërsia ka më shumë ndikim, se sa çdo formë tjetër arti. Në fund të fundit, funksionon përmes imagjinatës tënde. E çfarë mund të jetë më e fortë se ajo?

A ke një maksimë të preferuar?

Nuk kam. Kam një maksimë e cila përmban fjalën “maksimë”. “Vepro në mënyrë të tillë që, maksima e veprimit tënd të shndërrohet në një rregull sjelljeje universale”. Eshtë një prej formulimeve të Kantit mbi ligjin moral.

Eshtë e ngjashme me rregullin e artë të Biblës (“Bëju të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty”). Versioni biblik është më i mëshirshëm. Versioni i Kantit është, mendoj unë, më i përgjegjshëm, dhe unë zgjedh atë. Ndjekja e secilit prej këtyre rregullave është e vështirë, por mendoj se duhet të përpiqemi ta bëjmë.

Nga librat që ke lexuar, cili është më i rëndësishmi?

“Aventurat e Hakëlberri Finit”. Kur e lexova, në moshën 10 apo 11 vjeç, kuptova se librat mund të ishin jo vetëm të mërzitshëm dhe të dobishëm, por edhe të pamundur për t’u hequr nga dora dhe të të bënin të qeshje pas çdo faqeje. Kështu që nisa të lexoja. Gjithmonë ndjej shumë keqardhje për ata që nuk lexojnë libra. Me siguri, në fëmijërinë e tyre nuk kanë patur fatin t’u binte në duar libri i duhur.

A ke një personazh që e ke si shembull?

Ka patur dhe ka shumë njerëz të mirë – të guximshëm, të zotë, të sjellshëm dhe inteligjentë – dhe nuk mund të zgjedh vetëm një.

Çfarë është Rusia për ty sot?

Një vend ku kuptoj gjithkënd dhe ndihem në shtëpi. Një vend ku flitet gjuha ime dhe jeton populli im. Jam në gjendje ta ndaj vendin nga qeveria, ndaj në këto kohë dramatike e dua Rusinë shumë më tepër se kurdoherë. / Newsweek – Bota.al