Parajsa për strehimin e kriminelëve shqiptar në Dubai, shumë shpejt do të marrë fund. Kështu bëri me dije ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se pas disa javësh do të jetë në Emiratet e Bashkuara Arabe ku do të nënshkruajë marrëveshjen për ekstradimet, e cila do të mundësoj që ky vend të mos jetë më oaz shpëtimi për ata që kanë probleme me drejtësinë.

“Para disa muajsh edhe ju nuk e besonit që mund të arrijmë të identifikojmë dhe ekstradojmë persona me vendet që kemi një marrëveshje ekstradimi, dua ti falënderoj.

Nënvizoj për publikun një përgjigje që bëhet shpesh, se përse policia po merret edhe me këta persona që nuk jetojnë në Shqipëri, apo që janë në këto vende, përfshirë këtu edhe Emirate. Llogaridhënia duhet të jetë e ndjetë për çdo qytetar. Sa kohë je në një kërkim gjykate dhe je në kërkim, detyra e policisë është që këta persona të gjenden. Po punojmë me Emiratet që të kemi sa më shpejt, një marrëveshje ekstradimi, pas disa javësh do jem atje për të finalizuar një marrëveshje që do mundësonte që edhe ky vend të mos jetë me si një oaz shpëtimi për ata që kanë probleme me drejtësinë”,- tha Balla.

Ministri Balla bëri me dije gjithashtu se do të ndryshojë ligji për Policinë e Shtetit dhe se brenda pak ditëve drafti do të hidhet për konsultim publik. Sipas Ballës ndryshimet e reja do t’i japin rëndëi meritokracisë brenda në Policinë e Shtetit. “Do ndryshojmë ligjin për Policinë e Shtetit, drafti për pak kohë në konsultim publik. Ligji i ri i Policisë Shtetit duhet t’i japë rëndësi meritokracisë.

Duhet t’i garantojmë që çdo punonjësi të ndershëm të policisë së Shtetit të bëjë karrierë. Ka patur një bllokim të karrierës në Policinë e Shtetit. Pas një punë intensive të përditshme do të kemi shumë shpejt një draft që do të bëhet publik, ku edhe ju dhe opinioni publik do të njoftoheni. Ligji i ri i policisë së shtetit i është referuar eksperiencave më të mira ta shndërrojmë policinë e shtetit si institucionin më të besuar në vend.

Është një ligj goxha i madh dhe në këtë aspekt puna përfundimtare është po aq e rëndësishme për ta bërë gati për t’ju nënshtruar konsultimeve publike”,- tha Balla.