Policia Rrugore ka njoftuar se gjatë kësaj jave ka ndaluar 27 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ashtu, sipas njoftimit të Policisë, gjatë kësaj jave u vendosën 18 719 gjoba.
Në njoftimin për mediat, Policia Rrugore bën të ditur se janë intensifikuar masat monitoruese për të parandaluar aksidentet rrugore.
“Gjatë kësaj jave, në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë Rrugore kanë intensifikuar masat monitoruese, duke përdorur mjetet inteligjente Poliscan, radarët automatikë dhe gjithë bazën logjistike që kanë në dispozicion”, bën të ditur Policia Rrugore.
“Si rezultat i monitorimit, janë evidentuar dhe arrestuar në të gjithë vendin, 27 drejtues mjetesh për drejtim në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi; janë pezulluar 123 leje drejtimi, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për drejtim mjeti në efektin e alkoolit; janë evidentuar dhe ndëshkuar gjithsej 18 719 drejtues automjetesh dhe motomjetesh, për shkelje të ndryshme, nga këto: 1227 drejtues automjetesh që përdornin celularin gjatë drejtimit të automjetit; 5416 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, por pa masën plotësuese pezullim i lejes së drejtimit; 1114 drejtues automjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit; 10,495 drejtues automjetesh për parkime të gabuara; 467 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
Policia apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen nga mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme të Policisë Rrugore”, njofton Policia.
“Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, përfundon Policia Rrugore njoftimin.