Shtatë vende i janë drejtuar me një letër Bashkimit Evropian duke kërkuar integrimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në union.

Letra drejtuar krerëve të institucioneve të unionit, u nënshkrua nga ministrat e Jashtëm të Italisë, Çekisë, Austrisë, Kroacisë, Sllokavisë, Sllovenisë dhe Greqisë.

Greqia duket se ka ndryshuar qëndrim ndaj rrugës evropiane të Shqipërisë, të cilën ka kërcënuar se do ta bllokojë nëse nuk zgjidhet çështja e ‘Belerit’.

Në letër, thuhet se ka ardhur koha për përparim vendimtar në procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe se “një kohë e qartë dhe e arsyeshme për pranimin e tyre në union është më urgjente se kurrë”.

Ata gjithashtu theksuan se mirëpresin planin e ri të rritjes, për të cilin u mbajt nje samit dje në Tiranë.

“Prandaj, ne bëjmë thirrje për angazhimin tuaj personal për të finalizuar me prioritetin më të lartë negociatat ndërinstitucionale për “Lehtësimin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor” përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

Koha është thelbësore. Çdo vonesë do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së dhe do të ketë ndikim negativ në procesin e integrimit evropian të rajonit”, thuhet ndër të tjera në letër.