Në 2 vitet e fundit, u tërhoqën online në e-Albania 11.3 milionë certifikata digjitale, shifër kjo që sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla u ka kursyer shqiptarëve miliona euro vetëm në koston e një dokumenti të tillë që merrej dorazi më përpara. Në mbledhjen e qeverisë u rrit numri i shërbimeve që ofrohen në e-Albania.

‘Të gjitha shërbimet që kalojnë online, lidhen me njohjen qoftë me vulën digjitale apo vlefshmërinë e këtyre dokumenteve. Gjatë dy viteve të fundit nga Gjendja civile 11.3 milionë certifikata digjitale. Jemi dakord që ky revolucion digjital jo vetëm ka kursyer kohë, por ka sjellë dhe kursim të parave nga xhepat e qytetarëve shqiptar.’- tha Balla.

Por, nëse shërbimet online sa vijnë dhe shtohen, disa të tjera është e pamundur të bëhet aty dhe për Ballën kjo ka një arsye të qartë.

Martesat fiktive dhe kjo është rregulluar me ndryshimet që kemi sjellë në ligj. Ka një sërë ankesash që thonë pse shërbimi i regjistrimit të lindjes duhet bërë përmes prezencës. Janë disa shërbime të cilat këtë formë tradicionaliteti e kanë për shkak të verifikimit që duhet bërë nga punonjësit zyrës së gjendjes civile”- tha Balla.

Balla tha se numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe që kanë deklaruar online adresën e vendbanimit, e cila është tashmë me detyrim, është shumë i ulët.

‘Në ligj është rekomanduar të bësh te detyrueshëm deklaratën e vendbanimit dhe vendqëndrimit. Janë rreth 14 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë territorit dhe e kanë kryer këtë detyrim. Qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë ta tregojnë në E-Albania se ku jetojnë. Mund ta tregojnë me një faturë uji apo dritash. Çdo qytetar e ka detyrim të tregojë se ku jeton”- u shpreh Balla.

Sipas një projektligji të përgatitur, por që ende nuk ka kaluar në Kuvend, Shqiptarët jashtë vendit që nuk deklarojnë vendbanimet e tyre, 6 muaj pas hyrjes në fuqi, nuk do të mund të marrin shërbimet e Gjendjes Civile.