Profesori amerikan, Edward Joseph e sheh të zymtë situatën në Ballkan pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë. SHBA-ja dhe BE-ja, sipas tij, duhet t’i kuptojnë më mirë implikimet e asaj lufte në rajon dhe të marrin qëndrimin e duhur ndaj Kosovës, të cilën, ai thotë se duhet ta avancojnë drejt njohjes ndërkombëtare dhe ta sjellin Serbinë në pranimin e rendit perëndimor. Kjo, sipas tij, do ta izolonte Putinin dhe do t’i jepte më shumë siguri Ukrainës.
Asnjë rajon në glob nuk ka parë ndikim më befasues dhe tronditës nga agresioni i Rusisë në Ukrainë sesa Ballkani. Kështu shkruan Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Washington, në një artikull me titullin “Përçarja pas pushtimit në Ballkan”, botuar të martën nga Qendra për Studime të Balltikut dhe Europës Lindore në Universitetin Sodertorn në Suedi.
Joseph shkruan aty për zhvillime shqetësuese në Ballkanin Perëndimor që prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Në thelb, SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë arritur ta kapin atë mundësi – dhe nevojën – e krijuar nga pushtimi i Putinit për t’i mbyllur mosmarrëveshjet e trashëguara etno-kombëtare nga kolapsi i Jugosllavisë tri dekada më parë. Më kryesorja ndër këto çështje të pazgjidhura është refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e vitit 2008 të ish-krahinës së saj, Kosovës”, shkruan Joseph.
Profesori amerikan thekson se mungesa e zgjidhjes së këtij problemi është pengesa kryesore që e ka vonuar prej kohësh integrimin euroatlantik të të dy vendeve.
Ai shkruan se “leva e Serbisë mbi Kosovën” po e lejon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që “ta izolojë ish-krahinën”, gjë që ai thotë se e ka prioritet, dhe “ta vazhdojë falsitetin e tij” të “ekuilibrit” midis BE-së dhe Hungarisë, Kinës e Rusisë.
“Deri tani, vendi më i madh – me ekonominë më të madhe – të BB6, Serbia ka një ndikim të jashtëzakonshëm në fqinjtë e saj WB6, veçanërisht në të tri vendet me popullsi të konsiderueshme serbe (Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi). Kjo e bën Beogradin të jetë kanali kryesor për ndikimin rus dhe destabilizimin rajonal në Ballkan, siç pasqyrohet qartë në sondazhet e opinionit publik”, thuhet në artikull.
Ai kujton se “shfaqja më tronditëse e paqëndrueshmërisë rajonale ka ndodhur në Kosovë më 24 shtator 2023”, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
“Pesë vende të BE-së – katër prej të cilave janë anëtarë të NATO-s – nuk e njohin Kosovën”, shkruan Joseph, i cili më tej thekson se as SHBA dhe asnjë vend i BE-së nuk ka nxjerrë gjetjet nga analizat e inteligjencës për episodin e 24 shtatorit, “e lëre më të dënojë Beogradin”.
“Zyrtarët amerikanë duket se janë të kënaqur me dorëheqjen e Aleksandar Vulinit, ish-shefin famëkeq të inteligjencës serbe”, shkruan ai. Megjithatë, Joseph shton se pro-rusi i hapur Vulin vazhdon të shfaqet nëpër mediat serbe duke reklamuar “Serbinë e Madhe”.
“Operacioni Banjska sugjeroi që Beogradi zyrtar – me miratimin e mundshëm nga lideri autokratik, Vuçiq – kishte hartuar një plan për ta ndryshuar status quo-në në Kosovë me forcë. Se një përpjekje e tillë e pacipë do të ndodhte në një territor të mbrojtura nga NATO, duke përfshirë edhe trupat e afërta amerikane, sugjeron një humbje dramatike të respektit për autoritetin perëndimor”, shkruan profesori amerikan.
Joseph kujton se në shkurt të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç shkruan ai, “i befasoi mbështetësit e tij, dhe veçanërisht Vuçiqin duke pranuar propozimin e ri të BE-së, duke përfshirë autonominë e diskutueshme për serbët e Kosovës (Asociacionin)”.
Tutje ai tregoi edhe tërheqjen në njëfarë mënyre të Serbisë nga marrëveshja për normalizimin e raporteve.