Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shohin Serbinë siç ai e sheh, mirëpo ka shtuar se as ata nuk duhet të presin që ai Beogradin ta shohë me sytë e tyre.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një intervistë për “Public Square”, që moderohet nga ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, derisa po fliste për marrëdhëniet me SHBA-të.

“Një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve: As nuk pres që ShBA-të ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit”, tha Kurti.

“Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në lufte dhe i kam njohur gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqipatrëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet në veçanti”, shtoi.

Ai theksoi se SHBA dhe Serbia kanë njohje reciproke, teksa shtoi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

“SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë”.

Prandaj, ai beson se Serbinë “e njoh më mirë”, dhe nuk mund ta ketë të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri, sikurse DASH.

“Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë, marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, miqve dhe partnerëve. Mirëpo, kjo nuk do të thotë jemi identikë”, beson.

Kurti shtoi se ambiciet e tij për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit.

“Ambiciet e mia për Kosovën dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit”, potencoi ai, dhe vazhdoi “besoj që kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe”.