Elbasan, 6 mars – Në prag të Festës së Mësuesit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu priti në një vizitë zyrtare sot, Ministrin e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri.
Ajo çka i jep takimit mes dy ministrave një rëndësi të veçantë është vendi që zgjodhën, pikërisht, shkolla “Luigj Gurakuqi”, e njohur ndryshe si ish-Normalja e Elbasanit, një institucion me një histori të pasur dhe të rëndësishme në fushën e arsimit shqip, e cila këtë vit bën 115 vjet nga themelimi i saj.
Ministrja Manastirliu theksoi rolin historik të Ish-Normales së Elbasanit në formimin e brezave të mësuesve që kanë përhapur dijen në të gjitha trojet shqipfolëse.
 
“Kemi zgjedhur të jemi sot këtu edhe për të nderuar të gjithë mësuesit tanë, të cilët kontribuojnë çdo ditë pa u lodhur në përgatitjen e brezave të rinj, në formimin e shoqërisë sonë. Dhe kjo shkollë ka kontribuar në formimin e mësuesve në vite të vështira brez pas brezi, jo vetëm për arsimin në Shqipëri por edhe për mësimin e gjuhës shqipe, kulturës shqipe aty ku të gjithë shqiptarët jetojnë në troje të tjera.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
 
“Unë jam i ri në moshë dhe e flas gjuhën shqipe ashtu si ma ka trashëguar gjyshi, stërgjyshi. Por edhe ato për ta mësuar gjuhën shqipe kanë pasur mësues të cilët kanë dalë nga ky institucion”, tha Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri. Në prag të Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit dhe Sportit nderoi edhe tre mësues për kontributin e tyre në mësimin e gjuhës shqipe. Mësuesit e vlerësuar nga ishin, Haxhire Jaupi, mësuese e gjuhës shqipe me një karrierë 33-vjeçare në arsim, Vaxhid Sejdiu, doktor i shkencave gjuhësore që ka ndihmuar në hapjen e rreth 100 shkollave shqipe në Zvicër, dhe Hatixhe Zenelhoxha, me një karrierë të spikatur si mësuese e gjuhës shqipe.
 
“Në kuadër të Vitit të Gjuhës shqipe kemi ndërmarrë një iniciativë për të nderuar mësuesit e gjuhës shqipe kudo në Shqipëri por edhe përtej kufijve të Shqipërisë. E nisim sot në Elbasan por jam e kënaqur që sot nderojmë dhe mësues nga Maqedonia e Veriut të cilët kontribuojnë në vende të tjera për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqipe.”, tha Ministrja Manastirliu. Në takim, u theksua bashkëpunimi i ngushtë mes dy qeverive në fushën e arsimit  dhe shkencës si dhe aktivitetet e përbashkëta në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, të cilat do të kulmojnë më 22 Nëntor në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, festë zyrtare si në Shqipëri ashtu dhe në Maqedoninë e Veriut.
 
“Kemi marrë një seri iniciativash për forcimin e identitetit tonë kombëtar për të ruajtur dhe për të promovuar gjuhën tonë. Së bashku me Ministrin e Arsimit të Maqedonisë së Veriut jemi angazhuar që marrëveshje, të cilat ne tashmë i kemi lidhur, qoftë për gjuhën shqipe dhe të Abetares së Përbashkët jemi angazhuar t’i çojmë përpara duke forcuar edhe më tej bashkëpunimin tonë në fushën e arsimit.”, tha Manastirliu. Homologu Shaqiri tha se institucionet arsimore në Maqedoninë e Veriut janë treguar të gatshëm për të çuar përpara bashkëpunimin edhe në unifikimin e teksteve të përbashkëta, përfshirë edhe Abetaren.
 
“Abetarja e Përbashkët ka qenë një lajm shumë i mirë dhe i mirëpritur, ndër vite i diskutuar që të gjithë aty ku jetojmë, gjuhën shqipe duhet ta flasim dhe ta shkruajmë ashtu si duhet. Për këtë arsye nuk ka më mirë se të mësohet gjuha shqipe nga një burim i duhur në të gjithë shtete tona. Gatishmëri pozitive ka. Institucionet arsimore janë të lidhur midis tyre për të shkuar në unifikim të programeve mësimore dhe lëndëve të caktuara për arsye se të ruash atë të cilën e ke të shtrenjtë është shumë e rëndësishme”, deklaroi Ministri i Arsimit të Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri.
 
Ministrat vizituan gjithashtu Muzeun e shkollës, i cili tregon historinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të “Normales” në arsimin shqiptar, sot shkolla “Luigj Gurakuqi”. Kjo shkollë vazhdon të jetë një qendër komunitare aktive, e përfshirë në programin “Ekipet sportive në shkolla” dhe ka përfituar së fundmi nga rikonstruksioni i objekteve sportive, si pjesë e investimeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Bashkia Elbasan. Vizita e ministrave në Shkollën “Luigj Gurakuqi” në Elbasan thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e arsimit dhe kontributin e paçmuar të kësaj shkolle në historinë dhe zhvillimin e arsimit shqip.