Tre dronët Bayraktar, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile, të blerë në Turqi kanë mbërritur në Shqipëri, pas firmosjes së marrëveshjes në 21 dhjetor të 2022.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një postim në rrjetet sociale, ndau pamje nga montimi në bazën ajrore të Kuçovës të 3 dronëve “Bajraktar”.

“Vijon puna për montimin e dronëve deri në fluturimin e parë të njërit prej tyre në Bazën e re Ajrore të Nato-s në Kuçovë”, u shpreh ai.

“Përmirësimi i kapaciteteve ushtarake dhe investimet në teknologjinë e mbrojtjes janë dëshmi e përkushtimit tonë ndaj sigurisë kombëtare”, tha Peleshi.

Dronët Bayraktar të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri. Një ditë më parë ministri Peleshi vizitoi bazën ajrore të Kuçovës, ku pa nga afër punën për montimin e dronëve Bayraktar.

Këto dronë do të jenë në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore.