Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha ka komentuar projektet e dhëndrit të ish-presidenti amerikan Donald Trump, Jared Kushner në Vlorë. Duke folur për mediat, Dredha ka theksuar se mirëpritet çdo projekt që siguron zhvillimin e qendrueshëm dhe ndihmon ekonominë e qytetarëve. Po ashtu ai ka shtuar se nuk e kupton se përse kjo çështje komentohet si e nxehtë, pasi ata duan që të kenë sa më shumë investime në qytet.
“Nuk e kuptoj pse komentohet si e nxehtë. Në fakt nxehtë është gjithë koha, kur ka shumë diell ose kur ka ndonjë gjë ka impakt në komunitet. Duam sa më shumë investime në qytet, ashtu siç i takon nivelit të vizitorëve që ne duam të thithim në Vlorë. Varet si e kemi ne vizionin, duam ta zhvillojmë në mënyrë të qëndrueshme, të zhvillojmë pa prishur. Koha do ta tregojë sepse edhe unë nuk i kam detajet e projektit, mirëpresim çdo gjë që i jep ekonomi qytetit”, tha Dredha.