Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ishte sot në Vlorë për procesin e rienergjizimit të PS me organizatat socialiste 4454 dhe 4547, i cili vijon me anëtarësime të reja.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “jemi në një proces gjithëpërfshirës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për të prekur dhe për të rienergjizuar çdo qelizë të organizmit të PS-së, që do të thotë, çdo organizatë socialiste”.
“Duke konsideruar një sërë problemesh të mbartura, dhe patjetër edhe duke konsideruar një domosdoshmëri të madhe që PS të ripërtërihet, të fuqizohet dhe të bëhet një garante edhe më e sigurt, edhe më e fortë e progresit që ne kemi nisur me qeverisjen e PS-së”, tha Rama.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë dhe në radhë të parë të kuptohet nga drejtuesit e PS-së, nga përfaqësuesit e PS-së në nivel deputetësh, në nivel anëtarësh të Asamblesë, në nivel këshilltarësh të bashkive, në nivel të deleguarish të Kongresit, pastaj në nivel kryetarësh të organizatave, që rëndësia e PS-së dhe roli i PS-së, janë shumë të lidhura me ecurinë pozitive ose jo të vetë vendit”, theksoi Rama.
“Është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë që sot vendi është në një fazë të re, por njëkohësisht, pasi ka bërë një progres të konsiderueshëm në çdo drejtim, është në nevojën për t’u garantuar që ky progres do të vazhdojë, do të thellohet dhe që ne në radhë të parë si forca që qeveris vendin jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë që i përball sfidat me shumë më tepër forcë, me shumë më tepër mençuri, me shumë më tepër vullnet”, shtoi Rama.
“Këto nuk janë fjalë, as retorikë, por kjo është e lidhur me vetë hapin e Shqipërisë në funksion të objektivave strategjikë që ne kemi dhe në funksion dhe në funksion të Shqipërisë 2030”, tha Rama.